Shkodër, “International Jazz festival” në qytetin e traditës së hershme

475

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ – Qyteti i Shkodrës do përjetojë këto ditë të nxehta vere tinguj Jazz-i. Festivali ndërkombëtar i Jazz-it në Shkodër është një event që evokon, përkujton, stimulon e promovon jo vetëm muzikën jazz.

Në edicionin e këtij viti, i cili nis më 27 gusht e do të vazhdojë deri më 2 shtator 2018, do të ketë hapësirë edhe për muzikë klasike me të ftuar nderi mjeshtra të mëdhenj të muzikës, që me performancat e tyre do të kënaqin publikun e bashkë me artistët e tjerë pjesëmarrës do të ndikojnë, mbi të gjitha, në formimin, specializimin e instrumentistëve të rinj. Pikërisht, kjo është pritshmëria nga Shkodra Jazz Festival.

Në këtë edicion do të jenë pjesëmarrës dhe instrumentistë të huaj, të cilët për herë të parë do të ndodhen në ambientin muzikor, artistik dhe kulturor të Shkodrës.

Joyce Elaine Yuille, këngëtarja e njohur amerikane e muzikës soul e shoqëruar nga saksofonisti Michael Rosen si dhe Diego Borotti NU4tet do të jenë disa nga grupet dhe artistët që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të Shkodra Jazz. Ky është edicioni i nëntë i Shkodra Jazz Festival, i cili nisi në vitin 2005 në kujtim të muzikantit të njohur Rrok Jakaj.
Në festival do të marrë pjesë pianisti i suksesshëm në skenat e teatrove më me emër në të gjithë Europën dhe më tej, Paolo Marzocchi nga Pesaro, Itali, mik i Shqipërisë dhe në veçanti i Shkodrës, që do të luajë folk bashkëkohor, i cili u shpreh gjatë konferencës për shtyp se ”më në fund do të luaj pjesët e mija aty ku ato kanë lindur”. Ai ka përgatitur dhe një surprizë për publikun. Ai do të bëjë edhe hapjen e “main concert” në datën 29 gusht në orën 19:00.
Udhëtimi do të kalojë në telat e kitarës të një prej ambasadorëve të muzikës spanjolle, kitaristit dhe kompozitorit Josè Maria Gallardo Del Rey duke kaluar më pas te magjia e saksofonistit Diego Borotti, drejtor artistik i Festivalit të Jazz-it të Torinos, i cili me NU4tet dha një koncept të ri të leksikut BOP bashkëkohor, duke ruajtur dashurinë për traditën.

/a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.