Haziri: Hapja e pikës kufitare Stanqiq- Bellanoc zhvillon Gjilanin

105

PRISHTINE, 23 gusht /ATSH/ -“Me këtë projekt, Gryka e Karadakut dhe Gjilani merr dimension krejt tjetër, zhvillimor, infrastrukturor, e në veçanti zhvillohet bujqësia dhe turizmi malor. Janë projekte që ne do t’i atraktojmë edhe me bashkatdhetarët tanë dhe investitorët e huaj, në mënyrë që kjo zonë të jetë më e zhvilluar”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e pikës kufitare Stanqiq-Bellanoc, e cila po bëhet me financim të Komisionit Europian.

“Hapja e pikës kufitare Sqanqiq-Bellanoc është projekti më i madh në Grykën e Karadakut. Kjo pikë, Kosovës ia mundëson që përmes korridorit të dytë ndërkombëtar për t’u lidhur me korridorin e dhjetë, autostradën Shkup-Selanik. Për ne është me interes lidhja e shqiptarëve të Kosovës me ata të Kumanovës”, ka thënë Haziri, sipas njoftimit për media.

Haziri theksoi se nga mbikëqyrësi i punimeve u njoftua se projekti është në revidim për shkak të jo stabilitetit të tokës, por pritet teknikisht të zgjidhet nga Komisioni Europian.

“Shpresoj shumë që t’i japin dinamikë sipas kalendarit për të mundësuar lëvizjen për qytetarët, e natyrisht edhe për mallrat në tonelatat e përcaktuara”, ka nënvizuar Haziri. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.