Ekipet e “Smile Albania”, pastrojnë ujërat termale të Bënjës

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ – Ujërat termale të Bënjës në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës – Dangëlli në Përmet, ishte një nga pikat e cila u pastrua nga ekipet e “Smile Albania”.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nëpërmjet postimit të disa fotove të pastrimit në ujërat termale të Bënjës.

Ai i ka bërë apel pushuesve, të mbajën vendin pastër, në mënyrë që ta gjejnë sërish të pastër atë.
“Mbaj pastër, gjej pastër!!!
Me këto foto nga pastrimi në ujërat termale të Bënjës në Parkun Kombëtar Bredhi i Hotovës – Dangëlli, ju uroj një pasdite të bukur dhe ju kujtoj: Kudo që të shkoni për të pushuar, mbani pastër vendin që ta gjeni pastër sërish!” – shkruan ministri Klosi.
Ekipet e “Smile Albania” janë vendosur në të gjitha pikat hyrëse në të gjithë vendin duke informuar dhe uruar pushuesit mirëseardhjen në vendin tonë. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.