Dialogu Kosovë-Serbi/ Nuk mund të ketë negociata për ndryshim të kufijve

PRISHTINË, 23 gusht/ATSH/ – Në dialogun që po zhvillohet në Bruksel nuk mund të ketë negociata për ndryshim të kufijve të Republikës së Kosovës dhe as për shkëmbimin e territoreve midis dy shteteve. Ndërsa, Bashkësia e komunave të Kosovës me shumicë serbe nuk mund të formohet në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe frymën e Kushtetutës sonë.

Këto ishin disa nga konkluzionet e tryezës së mbajtur në Mitrovicë, lidhur me dialogun që po zhvillohet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën e kishte organizuar kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në tryezë morën pjesë nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, nënkryetari i parë i VV-së, Besnik Bislimi, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi dhe kryetari i Kuvendit të Përgjithshëm të AKR-së, Fatmir Matoshi.

Sipas një komunikate të komunës së Mitrovicës, pas një diskutimi të gjerë e të frytshëm, ku qëndrimet lidhur me çështjet që u diskutuan ishin shumë të përafërta, pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët, lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, njëzëri miratuan edhe disa konkluzione.

“Në dialogun që po zhvillohet në Bruksel nuk mund të ketë negociata për ndryshim të kufijve të Republikës së Kosovës dhe as për shkëmbimin e territoreve midis dy shteteve. Asociacioni i Komunave të Kosovës me shumicë serbe nuk mund të formohet në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe frymën e Kushtetutës sonë. Është i domosdoshëm shqyrtimi dhe vlerësimi i procesit të deritanishëm negociator, duke u bazuar në raportin e qeverisë së Republikës së Kosovës, mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit”, theksohet në njoftimin për shtyp të komunës së Mitrovicës.

Në konferencë u nënvizua gjithashtu se “është e domosdoshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të hartojë një platformë të përbashkët negociatore që përfshin kërkesat e shtetit të Kosovës ndaj Serbisë dhe pastaj të caktojë ekipin negociator. Ekipi negociator duhet t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës pas çdo raundi të bisedimeve në Bruksel”. /KosovaPress/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.