ARGJENTINË – Parlamenti i heq imunitetin ish-presidentes Kirchner pas akuzave për korrupsion

BUENOS AIRES, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Ligjvënësit argjentinas votuan dje për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-presidentes Cristina Fernandez de Kirchner, duke lejuar në këtë mënyrë kontrollin e apartamenteve në pronësi të saj në kuadër të një hetimi për korrupsion.

Fernandez është përfshirë në një skandal korrupsioni masiv, që dyshohet se ka ndodhur gjatë presidencës së saj në periudhën mes viteve 2007 dhe 2015 dhe presidencës së bashkëshortit të saj, Nestor Kirchner në vitet 2003 dhe 2007.

Sipërmarrës të ndryshëm në sektorin e ndërtimit dhe energjisë dyshohet se i kanë paguar qeverisë së Kirchner ryshfete prej qindra milionë dollarësh në këmbim të kontratave publike.

Fernandez gëzonte ende imunitet parlamentar si senatore. Ajo bashkoi votën me senatorët e tjerë për heqjen e imunitetit të saj, ndërkohë i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht.

Akuzat për korrupsion mbështeten pjesërisht në shënimet e shoferit të një ish-zyrtari të lartë të Ministrisë së Planifikimit Federal, i cili është një ndër të arrestuarit në kuadër të këtij hetimi.

Sipas së përditshmes “La Nacion”, shuma e parave të përfituara në periudhën 10-vjeçare mes viteve 2005 dhe 2015 llogaritet në rreth 160 milionë dollarë, por kjo shumë mund të jetë edhe 50 për qind më e lartë./ /u.sh/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.