Rritja e sigurisë ushqimore, AKU takim me ekspertë ndërkombëtarë

TIRANË, 22 gusht/ATSH – I. Vata/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhvilluar sot një takim me ekspertë ndërkombëtarë me fokus rritjen e sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore.

Në kuadër të aktiviteteve në implementim të projektit të financuar nga Programi IPA 2013: “Ristrukturimi dhe forcimi i rrjetit laboratorik të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë në Shqipëri”, ku AKU është pjesë e qenësishme dhe tepër aktive si përfituese e benefiteve të projektit në fjalë, në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u zhvillua një prezantim mbi tematikën: “Falsifikimi Ushqimor – Mashtrimi Ushqimor, Kërcënime dhe impakti”.

Prezantimi u përgatit dhe u referua nga Charalampos Proestos, pedagog në Universitetin e Athinës në cilësinë e ekspertit ndërkombëtar që përfaqësonte Projektin e financuar nga BE, së bashku me ekspertë të tjerë, të cilët vendosën theksin në ngritjen e kapaciteteve për analizimin e shpejtë dhe teste të menjëhershme mbi përbërësit e një produkti final dhe identifikimi i falsifikimeve të mundshme të tyre.

“Problematika e mësipërme është mjaft e rëndësishme në fushëveprimin e AKU-së gjatë kryerjes së kontrolleve zyrtare dhe procedurave të mëtejshme laboratorike pasi ndikon në sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore dhe informacionin mbi to te konsumatori i fundit, që përbën misionin e vetë institucionit”, thuhet në njoftimin e AKU. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.