PD: Kontroll për sigurinë dhe standardet në çerdhe, kopshte dhe shkolla

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Partia Demokratike kërkon që të nisë me urgjencë kontrolli për sigurinë dhe standardet në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat publike dhe private.

Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënpsja e PD-së Ina Zhupa kërkoi që “policia të sqarojë menjëherë nëse shpërthimi i zjarrit dhe bombolës së gazit në dy çerdhe të Tiranës ishte i qëllimshëm, ose prokuroria të marrë në përgjegjësi penale Veliaj dhe ata që hapin lajme të rreme”.

“Në Tiranë mbrëmë një tjetër çerdhe, në mes të bllokut, u përfshi nga flakët. Fati deshi që të mos kishte fëmijë dhe punonjës të lënduar. Për fat, edhe shpërthimi i tmerrshëm i pak ditëve më parë ndodhi, kur në çerdhen 14 nuk kishte fëmijë apo kujdestarë. Çerdhet, kopshtet, shkollat ne Tiranë nuk duhet të jenë në dorë të fatit, por të kenë standarde që garantojnë sigurinë e fëmijëve”, tha ajo.

Sipas Zhupës, “qytetarët duan të dinë pse nuk reagon Erion Veliaj për dy rastet skandaloze të rënies së zjarrit në çerdhet e Tiranës”./m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.