PD: “Forca e Ligjit” jo me dy standarde, Policia e Shtetit të mos heshtë

117

TIRANË, 22 gusht/ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me operacionin “Forca e Ligjit”, që bëri të mundur sekuestrimin e 1 milion eurove, duke i kërkuar Policisë së Shtetit të japë shpjegime kur “Forcën e Ligjit” do ketë të njëjtin standard edhe për trafikantët e lidhur me pushtetin.

Në një deklaratë për mediet Partia Demokratike shprehet se “kur të gjithë presin që Policia dhe Prokuroria të zbatojnë “Forcën e Ligjit” për sekuestrimin e pasurive të Edmond Begos, trafikantit të drogës të shndërruar në biznesmen me lidhje politike, Policia tallet me pritshmëritë e shqiptarëve, duke njoftuar se “Forca e Ligjit” ka rënë mbi pasuritë e një të vdekuri”.

“Policia njofton si sukses sekuestrimin e 1 milion eurove të një shtetasi shqiptar që nuk jeton më dhe që dyshohet për pjesëmarrje në trafikun e drogës në Greqi, por Policia hesht dhe “Forca e Ligjit” nuk vepron për mikun e familjes së Taulant Ballës, i dënuar me 21 vjet burg në Itali për trafik droge. Duke kërkuar që “Forca e Ligjit” të mos bjerë vetëm mbi pasuritë e atyre që nuk jetojnë më, por edhe mbi pasuritë e krimit të lidhur me pushtetin”.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të sqarojë opinionin publik: “Kur do të zbatohet i njëjti standard i “Forcës së Ligjit” ndaj vëllait të Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, aktualisht në burg për trafik droge? Kur do të zbatohet i njëjti standard i “Forcës së Ligjit” ndaj mikut të familjes së Taulant Ballës, trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge Edmond Bego? Pse trafikantët e lidhur me pushtetin, si Agron Xhafaj dhe Edmond Bego kanë imunitet dhe “Forca e Ligjit” është e pafuqishme ndaj tyre? Heshtja e Policisë së Shtetit, e Fatmir Xhafës dhe Taulant Ballës provon se krimi ka imunitet dhe mbrohet nga qeveria”, thuhet në deklaratën e PD-së. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.