Ndërmarrjet sociale edhe në Shqipëri

TIRANË, 22 gusht/ATSH/-Që nga 2016 qeveria shqiptare ka nisur për herë të parë projektin  për mbështetjen e sipërmarrjeve sociale të të rinjve në tre vitet e para, me synim rritjen e punësimit, ndërsa tashmë projetet rregullohen me nje udhëzim ligjor.

Ka hyrë në fuqi udhëzimi nr. 602, datë 1.8.2018 i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për procedurat dhe dokumentacioni për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.

Sipas udhëzimit të ministres, procedura e marrjes së statusit iniciohet nga vetë organizata jofitimprurëse me anë të një kërkesë drejtuar ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale. Kërkesa duhet të jetë në formë të shkruar dhe duhet të përmbajë edhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës dhe parashtrim të arsyeve se si organizata përmbush kriteret ekonomike dhe sociale të parashikuara në ligj për ndërmarrjet sociale.

Udhëzimi parashikon që kur një ndërmarrje sociale ushtron veprimtari për të cilat nevojitet licencë, pajisja me licencë, sipas përcaktimeve ligjore që rregullojnë licencimin, duhet të sigurohet përpara aplikimit për marrjen e statusit.

Krahas kërkesës për marrjen e statusit, subjektet e interesuara duhet të paraqesin vërtetim të lëshuar, jo më vonë se tre muaj para datës së aplikimit, nga Zyra e Regjistrimit të OJF-ve te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një kopje të statutit dhe aktit të themelimit dhe një vendim të organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse ku të shprehet qëllimi i organizatës për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale.

Gjithashtu, subjekti i interesuar për të marrë statusin e ndërmarrjes sociale duhet të paraqesë dokumente të tjera që vërtetojnë përmbushjen e kritereve ekonomike e sociale, kopje të licencës, nëse do të jetë rasti si dhe një kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti. Ndërkaq, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose kur vlerësohet e arsyeshme, strukturat përkatëse mund të kërkojnë dokumentacion shtesë përveç atij të paraqitur nga kërkuesi.

Verifikimi

Udhëzimi parashikon që nëse vlerësohet e nevojshme, gjatë procedurës së vlerësimit të kërkesës, strukturat përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale mund të kryejnë vizitë vlerësuese në mjediset ku ushtron veprimtarinë organizata.

Në çdo rast kërkuesit njoftohen për vendimin e njohjes apo refuzimit të statusit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të përmbushjes së kritereve ligjore, njohja e statusit bëhet me urdhër të ministrit. Në rast të refuzimit të statusit, njoftimi duhet të përmbajë edhe arsyet e refuzimit. Në rast të njohjes së statusit, organizata jofitimprurëse detyrohet të përdorë emërtimin “Ndërmarrje Sociale” përkrah emrit të organizatës”.

Por, çfarë janë ndërmarrjet sociale dhe ku fokusohen?

Ligji mbi ndërmarrjet sociale ka ardhur si pasojë e diskutimeve të shumta dhe studimeve të shoqërisë civile, të cilat kanë parë të nevojshme nxitjen e ndërmarrjeve sociale.

Qëllimi i këtyre ndërmarrjeve sociale është punësimi i personave që janë të pafovorizuar në tregun e punës. Kategori si ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, gratë viktima të dhunës dhe trafikimit etj.

Sa i përket formës juridike të sociale, parashikohet të jetë një organizatë jofitimprurëse por struktura e ndërmarrjes është vendimmarrëse dhe ekzekutive. Pjesë e këtyre ndërmarrjeve janë edhe punonjësit vullnetarë.

Tendenca për sipërmarrje personale në Shqipëri është pak e njohur por përmes këtij ligji krijohet hapësira e duhur për të motivuar të rinjtë dhe punësimin. Ndërkohë që vende të tilla si Gjermania, Italia dhe Serbia kanë modele të këtyre ndërmarrjeve, sesi ky ligj sjell zhvillimin e ekonomisë së vendit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.