Ditët pas tërmetit në Dibër, Xhaçka: FA në ndihmë të banorëve

TIRANË, 22 gusht/ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vijuar sot turin e saj në zonat e dëmtuara nga tërmeti në bashkinë Mat dhe ka garantuar banorët se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë në ndihmë të banorëve deri në zgjidhjen e problemeve.

“Pranë banorëve të Lisit, Macukullit, Derjanit etj, të cilët po kalojnë ditë të vështira”, – shprehet Xhaçka.

Në fjalën e saj gjatë takimit me banorët, ministrja Xhaçka u shpreh se Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile ditën e parë të tërmetit u janë gjendur pranë këtyre banorëve, të cilët sot vuajnë dëmet e tërmetit në banesat e tyre.

“Bëhet fjalë për disa qindra shtëpi që kanë pasur dëmtime dhe për disa dhjetëra banesa të tjera që janë të pabanueshme”, – tha ministrja.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka kritikoi pushtetin vendorë për ngadalësimin e punës të ekipeve në terren për verifikimin e dëmeve.

“Ekipet e bashkisë kanë qenë në terren, por për fakt edhe për mungesë të kapaciteteve, apo për mungesë të përgjegjshmërisë, ekipet e vlerësimit nuk kanë ecur me ritmet e duhura”, – tha ministrja.

Më tej ministrja shtoi se “sigurisht bashkia është aktori kryesor i përballimit të parë të emergjencave, natyrisht duhet një koordinim i mirë mes emergjencave në nivel qendror. Por do bëjmë çmos që të asistojmë që bashkia dhe ekipet e verifikimit të bëjnë punën sa më shpejt, duke patur parasysh që vijnë shirat”.

“Zgjidhja duhet të vijë shumë shpejt, pavarësisht kufizimeve, pavarësisht kapaciteteve të limituara. Ne do të vazhdojmë të jemi prezentë te këta banorë, ashtu siç kanë bërë FA gjatë gjithë këtyre ditëve në terren”, – theksoi ministrja Xhaçka. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.