Dëmtim i rrjetit nga privati, OSHEE rikthen energjinë në Orikum dhe Himarë

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është në gatishmëri për të riparuar çdo dëm të shkaktuar nga fenomene natyre si dhe nga palët e treta, duke evituar mungesën e energjisë elektrike në këtë sezon turistik.

Sipas OSHEE gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tre raste të mungesës së energjisë elektrike, të shkaktuara nga palë të treta.

Konkretisht, dje në orën 16:45 u dëmtua fideri nr 2 në Nst. Himara 1, si rezultat i këputjes së përcjellësit në pjesën e një degëzimi të një subjekti privat (në fshatin Iljaz), edhe si shkak i kohës së keqe me shtrëngata shiu. Pa energji mbeti një pjesë e Vunoit deri në Potam.

Ndërkohë sot, rreth orës 10:00, u dëmtua rrjeti TM i fiderit nr. 3, Nst. Rradhimë, nga një firmë private ndërtimi, duke lënë pa energji elektrike qytetin e Orikumit.

Tjetër rast u regjistrua po sot, në Tiranë, ku mësohet se është dëmtuar fideri nr. 28, Nst. Kashar, nga ana e Ujësjellësit, duke lënë pa energji elektrike një pjesë të zonës së Kamzës.

Falë gatishmërisë në terren, grupet operative të OSHEE-së morën masa të menjëhershme, duke bërë të mundur rikthimin brenda një kohe të shkurtër të energjisë elektrike. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.