Basha: Ferizaj, kontribut të shquar qytetar, politik dhe intelektual

TIRANË, 22 Gusht /ATSH/ -Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit dhe themeluesit të PD, Ismet Ferizaj.

“Me hidhërim ndava sot lajmin e ndarjes nga jeta të z. Ismet Ferizaj. Patriot i shpërngulur nga Kosova bashkë me familjen e tij, i ndjekur nga regjimi komunist, ai iu bashkua që në fillim Partisë Demokratike, si themelues e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehet Basha.

“I pandarë në çdo sfidë e betejë nga kauzat e mëdha të PD, Ismet Ferizaj ndërthurte vlerat më të larta patriotike me qëndresën dhe kthjelltësinë e mendimit intelektual”, thekson Basha.

“Për kontributin e tij të shquar qytetar, politik dhe intelektual, Bashkia Kavajë e ka nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi”, vijon Basha.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjaret dhe të afërmit e tij që përcjellin sot njeriun e tyre të dashur. Për Partinë Demokratike kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe frymëzues. U prehtë në paqen e Zotit!”, përfundon mesazhin e ngushëllimit kreu i PD-së, Lulzim Basha.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.