Prurje mbi mesataren e gushtit në kaskadën e Fierzës

134
TIRANË, 21 gusht /ATSH/ – Liqeni i Fierzës është në kuotën 286.4 m (apo rreth 7 m më lart se niveli mesatar i shfrytëzimit shumëvjeçar për muajin gusht) dhe prurjet rezultojnë rreth 70 m3/sek (ndërkohë që prurjet mesatare shumëvjeçare për muajin gusht rezultojnë 46 m3/sek).
Njëlloj si për 7 muajt e parë të vitit 2018, edhe gjatë muajit gusht 2018, KESH po prodhon për të mbuluar plotësisht nevojat e vendit për energji (nevojat e OSHEE për konsumatorët fundorë dhe humbjet në rrjet, si dhe nevojat e OST për humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shërbimet ndihmëse për sigurinë e sistemit elektroenergjetik).
Gjatë gushtit 2018, KESH do të prodhojë rreth 470,000 MWh, apo rreth 80,000 MWh më shumë energji se prodhimi maksimal historik për muajin gusht. Gjatë muajit korrik 2018, KESH prodhoi 427,000 MWh energji (ose 79% më shumë se prodhimi mesatar shumëvjeçar për muajin korrik), duke qënë kështu në nivelin e prodhimit maksimal mujor për muajin korrik.
Sipas parashikimit të prurjeve dhe prodhimi si dhe në sajë të mirëmenaxhimit të bazuar në regjime racionale të shfrytëzimit të ndjekura nga Korporata, niveli i liqenit të Fierzës në fillim të shtatorit parashikohet të jetë rreth 283 m, ndërkohë që niveli mesatar shumëvjeçar në fillim të muajit shtator rezulton rreth 276 m, pra rreth 7 m më lart.
Edhe për muajin shtator 2018, KESH parashikon të prodhojë për të mbuluar plotësisht, për të nëntin muaj radhazi, nevojat e OSHEE-së dhe OST-së.
Aktualisht, rezerva energjetike e KESH është rreth 986 GWh. Rezerva energjetike aktualisht e grumbulluar nga KESH në liqenet e kaskadës së Drinit është e mjaftueshme për të garantuar plotësimin e kërkesës se klientëve tariforë për gjithë pjesën e mbetur të vitit. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.