Balla sfidon PD: T’i drejtohet Prokurorisë në lidhje me akuzat për Begon

TIRANË,21 gusht/ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Grupit Parlamentarë të PS-së, Taulant Balla sfidoi sot Partinë Demokratike duke i kërkuar që t’i drejtohet Prokurorisë para se të shpifë në lidhje me akuzat e saj për lidhjet e tij me trafikantin, Edmond Bego.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla doli sot në një konferencë të përbashkët me dy deputetë të Bundestagut, duke mos anashkaluar përgjigjet në lidhje me arrestimin e biznesmenit Edmond Bego në Greqi.

Në fjalën e tij, Balla tha se “në fund të kësaj historie sikurse kam thënë do keni një pjesë të “babale” të serisë tre. Pse? Sepse kjo është e qartë, personi në Shqipëri nuk ka qenë në kërkim. Personi nuk është në kërkim ndërkombëtar në asnjë prej shërbimeve, sigurisht që pas përfundimit të verifikimit (që konventat ndërkombëtare parashikojnë 40 ditë verifikim), pyeteni personin vetë nëse ka pasur nevojë për mburojë politike.”

“Dhe këtu e konsideroj të mbyllur këtë çështje”, tha Balla duke vijuar se “mua me vjen keq qe ne politikanët shqiptarë përdorim jetën personale të kujtdo për qëllime politike. Për ne, ligji është njësoj për këdo”.

Më tej, Balla thekson se “nëse Partia Demokratike ka dyshime, duhet të mësoj që të ofrosh mburojë politike apo të pengosh zbatimin e ligjit për kundrejt një personi me vepër penale dhe në momentin që njihesh me një vepër penale, detyra e kujtdo është që të shkojë në prokurori dhe të bëjë kallëzim penal.”

“Unë e ftoj sot, madje e sfidoj Partine Demokratike të shkojë në prokurori sikurse ndodh edhe në Gjermani për një vepër penale”, ritheksoi Balla.

Një ditë më parë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh  se  “Taulant Balla duhet të japë sqarime për lidhjet e tij me trafikantin e rrezikshëm ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.