STAMBOLL – Turqia heq ndalimin e udhëtimit për një gazetare gjermane

STAMBOLL, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Një gjykatë turke ka hequr ndalimin për të udhëtuar për gazetaren gjermane, Mesale Tolu, e cila ishte arrestuar vitin e kaluar me akuzat për terrorizëm, deklaroi sot një grup mbështetësish të gazetares.

“Megjithatë procesi kundër gazetares dhe përkthyeses 33-vjeçare për agjencinë me prirje të majta ETHA do të vazhdojë”, u shpreh grupi “Freiheit fuer Mesale Tolu” (”Liri për Mesale Tolu”) në një deklaratë.

“Ndërsa bashkëshorti i saj, Suat Corlu, që po përballet me akuza të njëjta duhet të qëndrojë në Turqi”, thuhet në këtë deklaratë.

Rasti i Tolu-së, si ai i reporterit të gazetës “Die Welt”, Deniz Yucel dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Peter Steudtner, ka rritur ndjeshëm tensionet mes Ankarasë dhe Berlinit./  /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.