Prishtinë, drejt përfundimit punimet në lagjen “Arbëria”

154

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/- Punimet për rregullimin e shkallëve në lagjen Arbëria, në Prishtinë janë drejt përfundimit.

Komuna e Prishtinës bën të ditur se “po kujdesemi që cilësia e punimeve të jetë sa më i lartë, pavarësisht reshjeve të shumta që na kanë shkaktuar dëme”.

“Tani janë marrë mostrat e shtresës së betonit që është vendosur për nivelimin e shkallëve, si dhe të atij në objektin përcjellës nga ku shihet panorama e Prishtinës. Këto mostra do të analizohen në laboratorët e licencuara të betonit dhe vetëm pas marrjes së rezultateve pozitive do të vazhdohet me vendosjen e gurëve natyrorë, si fazë përfundimtare e këtij projekti. Aktualisht janë duke u testuar edhe punët e kryera në kanalizimin atmosferik, si dhe në atë kabllor nëntokësor”, thekson komuna.

Banorët e lagjes Arbëria, si dhe të gjithë qytetarët që do të kalojnë në këtë pjesë të qytetit, do të shohin shumë më shumë gjelbërim, si dhe do të gjejnë hapësira të mjaftueshme për pushim./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.