Krijim i një hapësire investimesh dinamike në Ballkanin Perëndimor

96

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ – Axhenda Rajonale e Reformës së Investimeve përcakton rrugën për krijimin e një hapësire investimi dinamike në Ballkanin Perëndimor 6 sipas MAP REA, nën kontekstin e Strategjisë së Europës Juglindore 2020 dhe kuadrit ligjor të CEFTA-s.

Ministria e Punëve të Jashtme në kuadrin e diplomacisë ekonomike ka publikuar vizionin e kësaj axhende.

Sipas MEPJ, ajo garanton një kornizë gjithëpërfshirëse për arritjen e harmonizimit më të madh të politikave të investimeve të ekonomive të vendeve të BP me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke u fokusuar në një sërë reformash të synuara që janë politikisht të realizueshme, ekonomikisht të nevojshme dhe që do të gjenerojnë rezultate të prekshme në një kohë të afërt.

Axhenda Rajonale e Reformës së Investimeve përcakton rrugën për krijimin e një hapësire investimi dinamike në Ballkanin Perëndimor 6 sipas MAP REA, nën kontekstin e Strategjisë së Europës Juglindore 2020 dhe kuadrit ligjor të CEFTA-s dhe në përputhje me MSA-të e ekonomisë individuale.

Axhenda i vë prioritetet e sektorit privat në qendër të saj dhe njëkohësisht njeh edhe prioritetet individuale të zhvillimit të ekonomive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në përputhje me këto objektiva të dyfishta, axhenda përqendrohet në fushat kryesore të politikës së investimeve dhe politikave përkatëse që kanë rëndësi më të madhe për sektorin privat dhe qeveritë e rajonit. Ajo garanton një kornizë gjithëpërfshirëse për arritjen e harmonizimit më të madh të politikave të investimeve të ekonomive të vendeve të BP me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke u fokusuar në një sërë reformash të synuara që janë politikisht të realizueshme, ekonomikisht të nevojshme dhe që do të gjenerojnë rezultate të prekshme në një kohë të afërt.

Axhenda rajonale e reformës së investimeve synon të kontribuojë dhe të shtojë vlerë për përpjekjet individuale, të ndërmarra nga ekonomitë e rajonit, për reformën në investime. Axhenda mban parasysh bazat e ndryshme për fillimin e reformës, si dhe kapacitetet zbatuese në të gjithë ekonomitë e rajonit, si dhe fazat e ndryshme të procesit të integrimit në BE. Në mbështetje të një zbatimi efektiv të axhendës së reformave, do të zhvillohen qasje të përshtatura për adresimin e gamës së kufizimeve me të cilat ballafaqohen ekonomitë e rajonit, duke përfshirë aktivitetet e shkëmbimit të njohurive të të nxënit dhe të shkëmbimit të njohurive, ndërtimin e kapaciteteve të synuara, mbështetjen zhvillimore institucionale, si dhe përmes marrjes së udhëzimeve të nevojshme nga praktikat më të mira për të arritur reformat.

Axhenda rajonale e reformës së investimeve do të sigurojë konkurrencë transparente dhe të ndershme midis ekonomive duke zbutur “konkurrencën jo të ndershme”, në të njëjtën kohë duke mos penguar interesat e ekonomive të BP. Qëllimi përfundimtar i axhendës është të përmirësojë situatën për ta bërë rajonin më tërheqës për biznesin e huaj dhe ndër-rajonal dhe për rrjedhojë të lehtësojë përthithjen më të madhe të investimeve dhe të gjenerojë aktivitet sipërmarrës, tregti dhe rrjedhimisht, vende pune.

Axhenda Rajonale e Reformës së Investimeve (RIRA), u miratua nga ministrat e Ekonomisë së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një Deklaratë të Përbashkët në maj 2018, në Tivat, Mali i Zi.

Plani shumëvjeçar i veprimit për një zonë ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor 6

Draft Plani Shumëvjeçar i Veprimit për një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor (MAP REA) është hartuar me kërkesë të 6 kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me qëllim përgatitjen e një “propozimi për një qasje të përbashkët për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik në Ballkanin Perëndimor” në kontekstin e procesit të Berlinit dhe Samitin e Triestes. MAP parashtron një axhendë të strukturuar për integrimin ekonomik rajonal, sipas linjave të propozuara nga Takimi i Liderëve, përkatësisht: nxitjen e integrimit të mëtejshëm të tregtisë, prezantimin e një hapësire rajonale dinamike për investime, lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale dhe krijimin e një axhende dixhitale të integrimit. MAP rrjedh nga angazhimet e ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe Strategjisë së Europës Juglindore 2020 (SEE 2020) dhe bazohet në rregullat dhe parimet e CEFTA-s dhe BE-së, sikurse pasqyrohen në Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit (MSA). Plani parashikon zbatimin e masave në të gjitha nivelet gjatë periudhës 2017 dhe 2020 (me disa masa që zgjasin deri në vitin 2023).

Zbatimi i masave të renditura këtu synon të finalizohet në një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor 6, bazuar në rregullat e CEFTA-s dhe në përputhje me BE-në. Kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, duke përshpejtuar konvergjencën me BE-në dhe duke sjellë prosperitet për të gjithë qytetarët e saj. Zona Ekonomike Rajonale bazohet në parimet e mos-diskriminimit, duke krijuar një fushë të barabartë për të gjithë brenda rajonit.

Diplomacia ekonomike në fokusin e politikës së Jashtme

Diplomacia ekonomike është përcaktuar tradicionalisht si një fushë e vendimmarrjes, politikëbërjes dhe avokacisë për avancimin e interesave ekonomike të shtetit. Diplomacia ekonomike mbështetet në një ekspertizë teknike që merr në analizë efektet e situatës ekonomike të vendit për klimën politike, si edhe për interesat ekonomike vendase.

Diplomacia ekonomike është arti i garantimit të sigurisë ekonomike dhe përmbushjes së interesave strategjike kombëtare përmes përdorimit të instrumentave ekonomike në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Suksesi i diplomacisë ekonomike lidhet ngushtësisht me aftësinë për të ndikuar proceset e politikëbërjes dhe në vendimmarrjen mbi aspektet rregullatore, qoftë nga qeveritë e vendeve të huaja, apo organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Diplomacia ekonomike shtrihet përtej stimulimit të tregtisë dhe investimeve, duke përfshirë edhe zgjidhjen e një sërë problematikash të cilat lidhen me konflikte të ndryshme ndërkombëtare.

Roli i diplomacisë ekonomike është i gjithanshëm dhe parashikon ndër të tjera angazhime lidhur me tregtinë e jashtme dhe marrëdhëniet import-eksport, me promovimin e interesave ekonomike të shtetit jashtë vendit, sensibilizimin e investitorëve potencialë të huaj për mundësitë që u ofrohen, negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve ekonomike-tregtare, si edhe bashkëpunimin për eleminimin e divergjencave problematike dhe për harmonizimin e standardeve në fushën ekonomike, sociale, atë të mjedisit, edukimit etj.
Diplomacia ekonomike vepron në tre nivele: dypalësh, rajonal dhe multilateral.

Diplomacia ekonomike dypalëshe luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera. Ajo bazohet ndër të tjera në marrëveshje bilaterale mbi tregtinë, investimet, punësimin, tatimet, si edhe angazhohet në trajtimin e një sërë çështjesh ekonomike formale apo informale mes dy vendece. Marrëveshjet Bilaterale të Tregtisë së Lirë janë prej kohësh “në rend të ditës” dhe një numër i madh vendesh nëpër botë zbatojnë të tilla marrëveshje.

Bashkëpunimi rajonal përbën një dimension me rëndësi të veçantë dhe në rritje për diplomacinë ekonomike. Praktika ka treguar se interesat kombëtare dhe liberalizimi i ekonomive vendase janë lehtësuar dhe favorizuar ndjeshëm në kuadër të mekanizmave dhe instrumentave me një fokus të qartë rajonal. Heqja e kufijve dhe hapja e tregjeve arrihet më lehtë dhe me sukses në një kontekst rajonal.

Diplomacia ekonomike shumëpalëshe zhvillohet në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), si edhe një sërë organizmash ndërkombëtare ekonomike dhe financiare si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe agjenci të ndryshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) etj.

Ndër të tjera, themelimi i OBT-së ka sjellë një ndryshim të kursit të politikave në sistemin global të tregtisë, veçanërisht përmes rëndësisë që i është dhënë nxitjes së veprimtarive ekonomike. Megjithatë, garantimi i konkurrueshmërisë vijon të mbetet një nga sfidat e rëndësishme të marrëveshjeve tregtare bilaterale dhe multilaterale. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.