“fDi Magazine”, profil Erion Veliajt: I ngjashëm me Justin Trudeau dhe Emmanuel Macron

TIRANË, 20 gusht/ATSH/- Erion Veliaj përfaqëson fytyrën e re që Shqipëria kërkon që t’i tregojë botës dhe Bashkimit Europian”.

Kështu nis profili që i ka kushtuar “fDi Magazine” kreut të bashkisë së Tiranës, i cili, sipas revistës, po ndryshon kryeqytetin.

“Duke vepruar në kontekstin e një klime politike të nxehtë, Z. Veliaj e gjeti veten nën presion për të dhënë rezultate sa më shpejt. Kjo do të thotë krijimi i një këndvështrimi të ri për qytetin që ai drejton: nga një anë rinovimi urban dhe projektet arkitekturore, nga ana tjetër detyrat e zakonshme dhe të nevojshme si pastrimi i qytetit që nuk shquhej si një nga më tërheqësit e Europës. Tirana u rendit në 10 vendet e para për t’u vizituar në Europë në vitin 2018 nga “Lonely Planet” dhe mori një çmim në qershor 2018 për hapësirën më të mirë publike në Europë nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore e Barcelonës”, lexohet në artikull.

“Tirana nuk është moderne, nuk është e lashtë, por është e këndshme dhe mendoj se kemi vendosur që të jemi të këndshëm dhe të rinj”, thotë Veliaj për revistën.

Më tej, artikulli thotë se “një pjesë e planit të tij për qytetin është që të bëhet me më shumë biçikleta dhe këmbësorë. Ai gjithashtu i jep përparësi strehimit përballë një bumi të popullsisë. Qyteti po rritet me një ritëm prej rreth 30 000 banorësh në vit: një kombinim i migracionit të brendshëm dhe rritjes demografike. Tirana është vendi më i ri i kryeqytetit në Europë, me një moshë mesatare prej 27 vjeç.

“Tirana është vendi për të jetuar jo vetëm për shqiptarët në qytete të ndryshme, por edhe për studentët e rinj që vijnë këtu nga vendet fqinje. Tirana është qyteti i kulturës, artit, muzikës, financave, ekonomisë, prodhimit, telekomunikacionit dhe ne duam ta mbajmë në atë mënyrë”, thotë Veliaj për “fDi Magazine”.

Më poshtë artikulli i plotë:

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ambicien për të transformuar qytetin, duke e ditur se ç’është e mirë për kryeqytetin është e mirë edhe për Shqipërinë. Me të bisedoi Courtney Fingar

Përfytyroni një shartim mes Justin Trudeau dhe Emmanuel Macron, hipeni në një biçikletë dhe do të përftoni Erion Veliajn. Një ish-deputet 39-vjeçar dhe ministër kabineti, Veliaj u bë kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar, Tiranës, si pjesë e koalicionit të majtë që fitoi zgjedhjet vendore të 2015-ës. Ai përfaqëson fytyrën e freskët që Shqipëria dëshiron t’i tregojë botës – dhe Bashkimit Europian, ku kërkon të anëtarësohet.

Një anëtar i Partisë Socialiste në pushtet, e kryesuar nga kryeministri reformator Edi Rama, Veliaj studioi në SHBA dhe në Britaninë e Madhe (ku mbrojti një diplomë pasuniversitare në integrimin europian), si dhe kreu disa punë humanitare në vendet në zhvillim përpara se të kthehej në Shqipëri e t’i hynte politikës. Në vitin 2003, ai themeloi MJAFT!-in, një lëvizje politike protestuese.

Rigjenerimi urban

Pasi fitoi një garë të fortë zgjedhore dhe në kontekstin e një klime politike kombëtare të nxehtë, Veliaj e gjeti veten nën trysni për të dhënë rezultate të shpejta. Kjo do të thotë të krijosh një fytyrë të re për qytetin që drejton: në Tiranë përparojnë një tufë me projekte arkitekturore dhe rigjenerimi urban dhe ka një fluks të aktivitetit ndërtues, përkundrejt nevojave më të zakonshme siç është pastrimi i qytetit, i cili nuk renditej mes qyteteve më tërheqëse apo më të jetueshëm në Europë. Por, kjo po ndryshon.

Revista prestigjoze “Lonely Planet” e renditi Tiranën në 10 vendet e para për t’u vizituar në Europë në 2018 dhe në qershor 2018 mori çmim për hapësirën më të mirë publike në Europë, nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore e Barcelonës. “Tirana nuk është moderne, as antike, por është ‘cool’, prandaj priremi të jemi të rinj dhe ‘cool’”, thotë Veliaj, të cilin e sheh rregullisht me biçikletë nëpër qytet. Pjesë e planit të tij për qytetin është që ta bëjë atë më të aksesueshëm e miqësor për çiklistët dhe këmbësorët.

Po ashtu, ai i jep përparësi strehimit, përballë një fluksi qytetarësh që vjen në rritje. Qyteti po shtohet me një ritëm prej rreth 30,000 banorësh në vit: një kombinim i emigracionit në ardhje nga jashtë përzier me migrimin e brendshëm nga fshatrat ose qytetet më të vogla dhe rritjes natyrore demografike. Tirana është kryeqyteti më i ri në Europë, me një moshë mesatare 27 vjeç.

“Tirana është vendi ku duhet jetuar, jo vetëm për njerëzit që vijnë nga qytetet e dorës së dytë apo të tretë, por edhe studentët e rinj që vijnë këtu nga vendet fqinje. Pra, Tirana është kryeqyteti i gjithçkaje në Shqipëri: kultura, arti, muzika, financat, ekonomia, prodhimi, telekomunikacioni – dhe ne duam të vazhdojmë në këtë rrugë”, thotë Veliaj. “Shumica e kryetarëve të bashkive i druhen kësaj, sepse kanë frikë nga rritja demografike, por nëse nuk e ndal dot, atëherë është mirë ta përqafojmë atë”.

Disa i tremben uljes së hapësirave të gjelbra në qytet për shkak të rritjes së zhvillimit, e ca të tjerë kundërshtojnë përpjekjet për të ulur numrin e makinave, por Veliaj argumenton: “Mund të kalojmë nëpër labirinthet e burokracisë, ashtu si në Londër apo në vende të tjera, ku krizat e strehimit janë kthyer në makthe. Ose do të duhet të ecim saktësisht me një plan urbanistik që lejon rritjen, por duke iu shmangur shtrirjes, pra duke synuar densitet me cilësi të lartë, ku njerëzit mund të përshkojnë deri 500 metra për të shkuar te berberi, te furra e bukës, në dyqanet ushqimore apo në klinikën e tyre shëndetësore”.

Të numërosh vezët

I vetëdijshëm për kohën që ecën, kryebashkiaku ka një aplikacion që bën numërimin mbrapsht të ditëve deri në zgjedhjet e ardhshme vendore në vitin 2019.

“Një këngë e Rolling Stones thotë: “Koha është në anën tonë”, – jo, koha nuk është në anën tonë, koha vetëm ecën”, thotë ai. “Ne duhet ta shohim këtë si një urgjencë të shëndetshme; kur më pyesin cila është metafora e bashki, unë u them se kjo bashki duhet të funksionojë si një “pulë”. Një pulë që duhet të bëjë një vezë çdo ditë, ndonjëherë dy, tre, por çdo ditë ne duhet të bëjmë diçka. Publiku duhet të shohë të paktën një gjë që nuk ka ndodhur dje; kjo u jep njerëzve ndjesinë e përparimit, por gjithashtu edhe një ndjenjë shprese”.

Sa i përket urgjencës për ta kthyer qytetin në një kryeqytet modern europian: “E quaj obsesion… një obsesion i shëndetshëm”, – qesh Veliaj. Dhe me këtë ai përfundon intervistën duke hipur në biçikletën e tij, për të vizituar një nga kantieret e radhës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.