Dialogu Kosovë-Serbi, rinis në pjesën e parë të shtatorit

PRISHTINË, 20 Gusht /ATSH/- Ndonëse në shtator është parashikuar vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihen temat për të cilat do të diskutojnë dy presidentët.

Sidoqoftë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se takimi i radhës pritet të mbahet në pjesën e parë të shtatorit dhe, sipas tij, ky takim do të jetë i menduar për të filluar me një bazë të diskutimit për të ardhmen.

“Shpresoj në pjesën e parë të shtatorit. Ende nuk është specifikuar se çka. Dy takimet e para më tepër kanë qenë procedurale dhe teknike. Besoj se takimi i radhës do të jetë i menduar për të filluar me një bazë të diskutimit për të ardhmen”, deklaroi Thaçi në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

I pari i vendit i bëri thirrje partive opozitare të bëhen pjesë e dialogut duke thënë se bashkëngjitja e opozitës në këtë proces është e mirëseardhur.

“Ftesa gjithmonë është e hapur. Bashkëngjitja e opozitës në këtë proces është e mirëseardhur. Me rëndësi është të vazhdojë dialogu, të gjendet zgjidhja, të arrihet marrëveshja dhe Kosova të lëvizë drejt NATO-s dhe BE-së”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se do ta vazhdojë fazën finale të dialogut edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë e këtij procesi.

Presidenti Thaçi qartësoi se askush nuk do të mund ta bllokojë këtë proces, i cili, sipas tij, garanton të ardhmen euroatlantike të shtetit të Kosovës.

“Me rëndësi është që të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës kanë qenë të pranishëm në takimin e fundit në Bruksel. Shpresoj se edhe në takimin e radhës do të jenë. Ne do të punojmë të kemi një përfshirje sa më të gjerë të mundshme, mirëpo askujt nuk do t’ia imponojmë pjesëmarrjen në këtë proces. Nëse procesi do të kalojë nëpërmjet referendumit, mendoj se secili ka mundësi ta thotë fjalën e vet dhe nuk do të mund ta pengojë askush i vetëm këtë proces, kushdo që të jetë ai”, deklaroi Thaçi.

Sipas presidentit Thaçi, nëse has në kundërshtim të subjekteve politike për këtë proces, marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën do ta hedhë në referendum.

Për vazhdimin e dialogut ka folur edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti. Ai tha se “procesi i dialogut duhet të vazhdojë, duhet të ndiqet trendi i bazuar fund e krye në interesat kombëtare. Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të reja sepse kompromiset e deritashme janë tregues shumë i qartë se Kosova ka zbatuar standardet më të larta për respektimin e të drejtave të komuniteteve. Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të tjera, të cilat do të kishin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit”, theksoi Hoti në një intervistë për gazetën “Epoka e re”./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.