Ura e Drojës, një investim 1 milion euro në ndihmë të komunitetit dhe bizneseve

TIRANË, 19 gusht/ATSH/- Në Urën e Drojës që lidh Thumanën me Fushë Krujën, e cila u shemb nga reshjet e shiut, po punohet për rindërtimin e saj.

Kjo urë po rindërtohet me financimin rreth 1 milion Euro nga kompania Titan në kuadër të programeve sociale për komunitetet e zonës, ku ajo ushtron aktivitetin.

Punimet me standarde të larta pritet të përfundojnë brenda pak javëve. Ky investim do të bëjë të mundur që kjo urë të rikthehet siç duhet dhe të jetë në ndihmë të gjithë komunitetit dhe bizneseve të lidhura me këtë rrugë.

Ura parashikohet të ndërtohet me gjerësinë 10.5 metra; me dy vija kalimi nga 3.5 metra dhe trotuare.

Punimet për Urën e Drojës, që u shemb si pasojë e reshjeve të dendura të këtij viti, nisën në qershor. Ajo do t’i vijë në ndihmë banorëve të fshatrave Shpërdhet, Bushnesh, Thumanë, Fushë Mamurras si dhe do të lidhë banorët me institucionet e njësisë administrative Mamurras./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.