Vizioni dhe vendosmëria e Kofi Annan në çlirimin e Kosovës

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ – “Në kulmin e debatit ndërkombëtar rreth ndërhyrjes vendimtare të NATO-s në Kosovë ishte Kofi Annan, i cili i vuri vulën këtij diskutimi duke e konsideruar atë ‘plotësisht legjitime’”.

Në ditën e ndarjes nga jeta të ish-Sekterarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati sjell në kujtesë vizionin dhe vendosmërinë e tij për çlirimin e Kosovës.

“Në librin e tij “Një jetë në luftë dhe paqe”, ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, fitues i çmimit Nobel për Paqe në vitin 2001, rrëfen vështirësinë e zgjedhjes mes dëshirës personale për të ndërhyrë në Kosovë, dhe etikës profesionale të postit zyrtar”, citon Bushati.

“Kjo dilemë e brendshme përkonte me përplasje më të mëdha, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa nga njëra anë, kërkonin të ndalnin makinerinë genocidiste serbe, ndërsa Rusia nga ana tjetër, kundërshtonte çdo formë ndërhyrje”, shprehet Bushati.

Sipas tij, “vizioni dhe vendosmëria e Kofi Annan dhe personaliteteve të kalibrit të tij bëri të mundur jo vetëm çlirimin e Kosovës, pacënueshmërinë e tërësisë së saj territoriale, e për pasojë krijimin e shtetit më të ri të Europës, por edhe jetësimin e një rendi ndërkombëtar bazuar tek sundimi i së drejtës dhe respekti për të drejtat themelore të njeriut, larg skenarëve të Shekullit të 19 në të cilat bazohej politika etnocentrike e agresorit”. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.