Refuzoi Chelsean, Hysaj rinovim dhe rritje rroge me Napolin

TIRANË, 18 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/-Elseid Hysaj ka nisur diskutimet me Napolin për të rinovuar kontratën. Mbrojtësi shqiptarë gjatë verës që kaloi ka pasur mjaft kërkesa dhe mbi të gjitha nga Chelsea e Maurizio Sarri, trajnerit që shqiptarin e ka të preferuar, por më pas, pakti mes dy klubeve bëri diferencën.

Mario Giuffredi, menaxheri i Hysaj foli për Sportitalia. “Napoli zhgënjim? Jo, Napoli bëri atë që duhej të bënte, për të mbajtur të gjithë futbollistët më të mirë. Të mos bësh shumë, nuk do të thotë të bësh një merkato të madhe, ndonjëherë merkato më e mirë është konfirmimi i lojtarëve më të çmuar që ken ë skuadër. Në javët e ardhshme do të përballemi me çështjen Hysaj, për rinovimin, kishim folur edhe para merkatos. Më pas ishte diskutimi me Chelsean dhe u ndalëm. Tani, nëse do të kenë dëshirë do të ulemi sërish të flasim”, tha Giuffredi.

Hysaj pritet të rinovojë deri në 2023, duke marrë shkas nga fakti që kontrata aktuale e shqiptarit skadon në 2021. Në rinovimin e mëparshëm Hysaj e nisi nga një pagë bazë prej 1,4 milionë euro, për të arritur më pas në nivelin e 2 milionë euro në sezon. Kishte një opsion rinovimi deri në 2022 kundrejt një page prej 2,5 milionë euro në sezon, ndërsa tani do të pretendohet deri në 2023, në pritje për të fiksuar detajet e fundit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.