ARKEOLOGJI – Zbulohen varre të periudhës romake në një qytezë palestineze

146

RAMALLAH, 18 gusht /ATSH-AFP/ – Dhjetra varre të epokës romake u zbuluan pranë qytetit palestinez të Hebronit, në pjesën jugore të Cisjordanisë së pushtuar, njoftoi sot një zyrtar.

”Varreza, e cila daton në shekullin e parë pas Krishtit u zbulua dy javë më parë në fshatin Idna”, u shpreh Taleb Jubran, drejtor i Departamentit të Turizmit dhe Antikave të Hebronit.

Ai pohoi për median se e kishte evidentuar këtë zbulim gjatë punimeve në një rrugë të zonës.

Në qendrën e lashtë 2 000-vjeçare u gjetën eshtra, qeramika dhe rreth 32 varre prej guri.

Është e dukshme për arkeologët se disa objekte janë vjedhur nga zona para zbulimit të tij zyrtar.

Varret shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 50 metrash katrore.

”Është me rëndësi për ne studimi dhe ruajtja e këtij zbulimi’’, deklaroi Jubran.

Autoritetet drejtuese palestineze shpresojnë ta shndërrojnë zonën një një atraksion turistik. Ato siguruan që studimet do të vijojnë në mënyrë që të ofrohen detaje të rëndësishme rreth këtë zbulimi./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.