Akademia “100 fshatrat” përfshin në projekt dhe universitete të huaja

TIRANË, 18 gusht/ATSH-Maela Marini/ – “Akademia “100 fshatrat” është një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e agroturizmit, ndërsa në këtë projekt do të përfshihen edhe universitete të huaja”.

Kështu konfirmoi sot Kryeministri, Edi Rama në një takim me pedagogë e studentë të Akademisë “100 fshatrat” në Jalë.

“Akademia vjen në ndihmë duke plotësuar një boshllëk objektiv në territor, ku shumë njësi vendore kanë mungesa burimesh të kualifikuara njerëzore në planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, tha Rama.

Ai vlerësoi se “Akademia do të sjellë një larmi këndvështrimesh nga pedagogët deri tek studentët dhe do të krijojë në një kohë relativisht të shkurtër një numër të konsiderueshëm projektesh dhe skenarësh zhvillimi si dhe një bazë kërkimore shumë të gjerë”.

Programi, tha Kryeministri, “krijon mundësinë për të tërhequr vëmendjen dhe për të përfshirë edhe shumë aktorë të tjerë, duke nisur nga universitetet e huaja që ne i kemi qasur edhe përmes përfaqësive të vendeve të ndryshme, që i kemi ftuar të bashkojnë forcat me ne”.

“Brenda programit ka disa komponentë që lidhen me shkëmbimin e dijeve mes komuniteteve, komunitete të fshatrave tona me komunitete të fshatrave në Zvicër apo Austri, që janë të konfirmuara”, tha Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.