SOFT NEWS – Një restorant gjerman nuk pranon… fëmijë!

RUEGEN, 17 gusht /ATSH-DPA/ –  Një restorant në ishullin turistik gjerman të Ruegenit, në detin Balltik, po befason duke ndaluar fëmijët ta frekuentojnë atë gjatë mbrëmjeve.

“Ne kemi një kohë të gjatë që po e mendojmë këtë ide”, deklaroi menaxheri i ”Omas Kueche” (Kuzhina e Gjyshes) në qytetin e Binz , Rudolf Markl.

“Personat nën moshën 14 vjeçare ndalohen të frekuentojnë ‘Kuzhinën e Gjyshes’ që prej kësaj jave”, tha ai, duke e bazuar vendimin mbi sjelljen e keqe dhe mungesën e kontrollit prindëror.

“Bëhet fjalë për fëmijët që i shqetësojnë klientët që ndodhen në tryezën fqinje, të cilët tërheqin mbulesat e tavolinave dhe përplasin shishen prej qelqi të verës së kuqe – plus prindërit që nuk përfshihen”, deklaroi Markl.

“Prindërit e pranojnë atë me një buzëqeshje, vazhdojnë të hanë, dhe nuk janë fare të interesuar në atë që po ndodh”, shton ai.

”Ndalimi i fëmijëve për të frekuentuar restorantin pas orës 17.00 ka për qëllim t’u ofrojë mysafirëve një oaz paqeje”, tha Markl.

Presidenti i Shoqatës së Hoteleve dhe Restoranteve të shtetit të Mecklenburg-Vorpommern në të cilin gjendet Ruegen, Lars Schwarz, nuk është shprehur i kënaqur me masën e restorantit, por theksoi lirinë e çdo biznesi për të marrë vendime të tilla.

“Në Mecklenburg-Vorpommern, ne synojmë të jemi miqësorë me fëmijët”, deklaroi Schwarz./ /a.i/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.