Allegri: Ronaldo titullar ndaj Chievos

91

TIRANË, 17 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/-Cristiano Ronaldo do të jetë titullar ndaj Chievos, në ndeshjen e parë të Seria A për Juventusit që luhet të shtunën në orën 18:00 dhe që do të çel sezonin e ri të kampionatit Italian të futbollit.

Massimiliano Allegri ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për debutimin e Ronaldos. “Asnjë këshillë për CR7. Do të jetë diçka e re për të dhe do t’i duhet të njohë kampionatin italian, pasi nesër starton një sezon i ri dhe një sfidë e re. DO të jetë gjithmonë e më e vështirë, sepse pavarësisht se jemi përforcuar ndjeshëm, edhe kundërshtarët tanë nuk kanë qëndruar në vendnumëro. Duhet të lëmë mënjanë periudhën e ekzaltimit për marrjen e Ronaldos dhe të kthehemi me këmbë në tokë, për të luajtur ndaj një skuadre si Chievo, që ka dëshirë për të bërë mirë ndaj kampionit në fuqi. Ndeshja e parë është gjithmonë një e panjohur e madhe. Jam kurioz të shoh edhe unë se si do të paraqitet skuadra, për të bërë më pas ndërhyrjet e nevojshme dhe për të gjetur ekuilibrat e duhur”, tha Allegri.

“Nesër do të luajnë me siguri Ronaldo, Chiellini, Pjanic, Cancelo dhe Alex Sandro. Për pjesën tjetër të formacionit, do të më duhet të bëj akoma llogaritë, mbi të gjitha në mesin e fushës. Shumë do të varet edhe nga mënyra se si do të shkojë ndeshja, por prirem t’u besoj atyre që kanë qenë në SHBA, pasi kanë më shumë minuta në këmbë”, shtoi tekniku bardhezi.

Sa i takon objektiva trajneri bardhezi kërkoi këmbë në tokë. “Që kur kam ardhur te Juvja, ka qenë gjithmonë viti i Championsit, kampionatit dhe Kupës së Italisë. Juve është një skuadër që çdo vit niset për të fituar gjithçka. Dy herë i kemi shkuar shumë pranë triumfit në çdo kompeticion, ndërsa këtë sezon, objektivi i parë është që të kalojmë grupet. Të gjithë janë të ekzaltuar për mbërritjen e Ronaldos, por realiteti është ai që do të shfaqet në fushën e lojës. Mund të kesh lojtarët më të mirë në botë, por nëse nuk impenjohesh maksimalisht dhe me këmbë në tokë, atëherë nuk shkon gjëkundi. Unë dëshiroj që të mbërrijmë në mars, duke qenë në garë për të tre trofetë, pasi atëherë do të kemi gjetur edhe ekuilibrat e duhur për të synuar më pas hapin e madh”, tha Allegri. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.