Viola, shqiptarja që u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë në Kenia

TIRANË, 16 gusht/ATSH/-Shqiptarët çdo e ditë e më shumë po njihen për kontributin e çmuar që japin në shtetet dhe vendet ku kanë emigruar, ndërsa një prej tyre, Viola Kalotsi ka zgjedhur t’u vijë në ndihmë fëmijëve të pastrehë, të uritur apo të sëmurë në Kenia.

Pas suksesit të çdo mashkulli fshihet një grua, por kur kemi një grua të suksesshme, çfarë fshihet pas saj?

Viola Kaloutsi është një emër “i vjetër” i diasporës në Kanada. Karrierën e saj të shkëlqyer, ajo ka ditur t’a bëjë falë përkushtimit, të kaluarës dhe rrënjëve të saj.  Me prindër çamë, e lindur në Shkodër, por prej 30 vitesh jeton në Kanada, shqiptarja u vjen në ndihmë fëmijëve të pastrehë, të uritur apo të sëmurë në Kenia.

Viola është shqiptarja e parë grua, e cila shërbeu për shumë kohë në shoqatën shqiptare të vendosur në Toronto. Familja e tyre i ka gërshetuar mirë traditat shqiptare, çame dhe shkodrane, të cilat ende i zhvillojnë pranë komunitetit shqiptar.

“Ne jemi Çamëria”, “We are Chameria” është një fondacion i krijuar nga Viola e cila kërkon të përjetësojë masakrën që i është bërë popullsisë çame nga grekët. Prej 3 vitesh, ky fondacion mbledh fonde për fëmijët në Kenia. Në bashkëpunim edhe me organizata të tjera, ato u vijnë në ndihmë fëmijëve të pastrehë, të uritur apo të sëmurë. Çdo vit, Viola rrugëton në Kenia si vullnetare për të qenë më afër realizimit të projektit të saj.

Si një grua në karrierë, ajo mendon se emigracioni nuk të jep shumë mundësinë e të qënurit shtëpiake me përjashtim të një periudhe të shkurtër për lindjen apo rritjen e fëmijëve. Sipas saj, gruaja, gjithmonë duhet të fokusohet në planet e saj, të jetë e organizuar dhe të gjejë balancën e drejtë mes profesionit dhe familjes. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.