Panairi i Suvenireve Turistike, nis sot në shëtitoren e Sarandës

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Edicioni i shtatë i Panairit të Suvenireve Turistike nis sot në Sarandë, në shëtitoren buzë detit, aty ku më parë ka qenë tregu i Suvenireve.

Panairi, që tashmë është shndërruar në një traditë të përvitshme, do të zhvillohet për tri ditë radhazi duke nisur nga kjo e enjte e 16 gushtit dhe organizohet nga agjencia AJMMI me mbështetjen e bashkisë së Sarandës.

Panairi synon promovimin turistik të resurseve të traditës së artizaneve shqiptare në fushën e punimeve të dorës, me realizime të artikujve në lloje të ndryshme materiali si, punime në qëndisje, në material leshi, druri, guri, guacka deti, lëkure, qeramike, metali, etj.

Artizanët shqiptarë sjellin pranë njëri-tjetrit në këtë event kombëtar traditën e punëve të dorës nga qytete si Gjirokastra, Saranda, Shkodra, Prizreni, Prishtina, Tirana, Kukësi, Kruja, nga shqiptarë të Malit të Zi, etj.

Panairi përfshin qëndistarinë me dorë dhe punët në tezgjah, punime në material druri, në lesh, me shtiza, në filigram, në bizhuteri dhe veshje kombëtare, në guacka të qëmtuara nga brigjet e Jonit përmes një larmie teknikash aplikative, etj.

Panair Kombëtar i Suvenireve pritet të përcillet nga shumë vizitorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët ashtu si edhe viteve të mëparshme, kanë blerë kujtimet e pushimeve të tyre në Sarandë në këtë panair.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.