FOKUS – Zeman objekt kritikash për 50-vjetorin e pushtimit nga Traktati i Varshavës

PRAGË, 16 gusht /ATSH-DPA/ – Afrimi i 50-vjetorit të pushtimit të Çekosllovakisë nga Traktati i Varshavës ka shkaktuar një përçarje politike në Republikën Çeke lidhur me përkujtimin e kësaj ngjarjeje.
Opozita u ankua sot se presidenti çek, Milos Zeman nuk do të mbajë një fjalim më 21 gusht, ndërsa Petr Fiala, kryetar i partisë konservatore ”Demokracia Qytetare” (ODS), e cilëson këtë qëndrim një veprim të çuditshëm.
Ish-ministri i Drejtësisë, Jiri Pospisil, nga partia TOP09, i kërkoi presidentit të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese.
Por, një zëdhënës i Zemanit i hodhi poshtë këto kritika duke thënë se pozicioni i presidentit në lidhje me cështjen është i qartë.
”Pushtimi është një krim”, deklaroi ai.
”Ai u tregua i guximshëm në një kohë kur guximi kërkonte vetësakrificë”, u shpreh zëdhënësi në lidhje me deklaratën e Zemanit.
“Dhe kjo gjë vlen më shumë se 1 000 fjalime pas 50 vitesh,” shtoi ai.
Sipas dëshmisë së tij, Zeman u përjashtua nga Partia Komuniste e Çekosllovakisë në vitin 1970 për kritikat e tij ndaj pushtimit sovjetik.
Lideri 73-vjeçar përshkruhet shpesh nga analistët politikë si miqësor ndaj Rusisë.
Ai ka bërë të thirrje vazhdueshme për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, që u vendosën pas aneksimit të Krimesë nga kjo e fundit.
Kryeministri çek, Andrej Babis do të mbajë një fjalim në një aktivitet përkujtimor, të martën në Pragë.
Përveç Babisit, në këtë aktivitet përkujtimor do të marrin pjesë edhe kryetarët e dy dhomave të parlamentit.
Më 21 gusht 1968, trupat sovjetike, polake, bullgare dhe hungareze marshuan drejt Çekosllovakisë, në një përpjekje për të shtypur lëvizjen ”Pranvera e Pragës”, që synonte për liberalizimin e politikës./ /sm/ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.