Tragjedia në Itali, MEPJ ngushëllon familjarët e dy shqiptarëve

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme iu shprehu sot  ngushëllimet familjarëve të dy shtetasve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina, të cilët humbën jetën në tragjedinë e ditës së djeshme në Itali.

Ministri Ditmir Bushati e konsideroi një lajm të dhimbshëm humbjen e jetës së dy të rinjve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina në tragjedinë e Genovas.

“Në këto momente të trishtuara u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tyre”, tha Ministri.

Sipas tij, “ambasada shqiptare në Itali është në gatishmëri të plotë dhe u ofron mbështetjen dhe ndihmën e shtetit shqiptar familjarëve në këtë çast të rëndë për ta”.

Nga shembja e urës Mornadi në Gjenova humbën jetën edhe dy të rinj shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina.

Deri tani raportohen 42 të vdekur pas rrëzimit të një pjese të mbikalimit të autostradës A10 në Genovë, përfshirë tre fëmijë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.