Reformat kërkojnë edhe angazhimin e opozitës

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Realizimi i reformave të rëndësishme për vendin kërkon angazhimin jo vetëm të maxhorancës por dhe të opozitës.

Kjo u konfirmua në takimin e zv/kryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi me përfaqësuesin e Posaçëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Mark Pritchard, dhe Ambasadorin Andreas Nothelle nga Asambleja Parlamentare e OSBE në Vienë.

Përfaqësuesit e lartë të OSBE-së shoqëroheshin nga zv/ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton.

Gjatë takimit u bisedua për kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në proceset e integrimit europian, ecurinë e punës së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, reformën në drejtësi si edhe ecurinë e procesit të vetingut.

Hysi vuri theksin në forcimin e rolit të Kuvendit të Shqipërisë në hartimin e ligjeve dhe kontrollin parlamentar, përfshirjen më të madhe të Kuvendit mes komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare dhe grupimet e tjera parlamentare si grupi i deputetëve ”Miqtë e fëmijëve” dhe grupimi i grave deputete.

Hysi ftoi përfaqësues të Asamblesë parlamentare të OSBE-së për të marrë pjesë në konferencën që do të organizojë Kuvendi për rolin e parlamentarëve për parandalimin e trafikimit dhe formave të tjera të skllavërisë moderne.

Vizita e Mark Protchard është vizita e parë e tij pas zgjedhjes këtë vit si përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.