Rama: Dhimbje për jetët e humbura në skenën apokaliptike të Genovas

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ “Të gjithë u jemi pranë familjeve të Marijusit e Admirit dhe ndjekim situatën orë pas ore, me të gjithë dhimbjen e keqardhjen e madhe për të gjithë burrat, gratë, fëmijët që humbën jetën në skenën apokaliptike të Genovas”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “Farnesina dhe Ministria e Brendshme italiane konfirmojnë se dy shtetas shqiptarë, kanë humbur jetën në tragjedinë e Genovas”.

“Në vijim të komunikimeve me spitalin e Genovas dhe familjet përkatëse, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë konfirmon se viktimat janë shtetasit shqiptarë, Marijus Djerri dhe Admir Bokrina”, shprehet Rama.

Sipas tij, “ambasadorja u ka shprehur drejtpërdrejtë ngushëllimet familjarëve dhe ka ofruar mbështetjen e shtetit shqiptar, në këtë ditë kaq të rëndë për ta. Nga ana tjetër, thekson ai, edhe konsullata në Milano është e gjitha në dispozicion të familjeve te viktimave.

“Tragjedia e Genovës ka thyer zemrën e Shqipërisë. Po ndjekim me drithërimë orë pas ore bilancin shkatërrues të jetëve të humbura dhe përpjekjet e forcave të shpëtimit. Në mesin e rrënojave kishte edhe dy shqiptarë që banonin në Itali, por për ne ishin të gjithë vëllezër e motra”, i shkruan Rama homologut italian Giuseppe Conte. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.