Bregdeti shqiptar, mundësi e shkëlqyer për shtimin e faunës së rrallë

TIRANË,15 gusht /ATSH/ – Bregdeti shqiptar nuk është vetëm një pasuri për turizmin e detit dhe të rërës, por edhe një mundësi e shkëlqyer për shtimin e faunës së rrallë. Deri dje ka pasur dyshime për këtë por sot kemi provën.

Kështu shkruan ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale ku ka postuar videot e breshkave të reja Carreta- carreta teksa dalin nga foleja e i drejtohen detit.

“Prej dy ditësh në territorin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta po ndodh çelja e vezëve të depozituara nga një breshkë deti (Carreta carreta) pasi ishte spikatur më parë si fole në zonën e bregdetit të Parkut. Deri më tani rreth 50 individë të rinj breshkash arritën të zhyteshin në ujërat e Adriatikut për të ndërmarrë rrugëtimin e tyre të gjatë, dhe shpresojmë do të kthehen për të depozituar vezët përsëri…”- shkruan ministri Klosi duke ndarë me ndjekësit e tij, këtë lajm që e cilëson një ngjarje natyrore unikale.

“Ky është një eveniment natyror unikal për vendin tonë pasi vërtetohet se bregdeti ynë shërben edhe për shtimin e një prej llojeve më të vjetra të botës faunistike që ruhet në të gjithë botën. Deri dje ka pasur dyshime për këtë, sot kemi provën. Një tjetër vlerë për zonën tonë bregdetare që tashmë do të jetë pjesë e një studimi më të thelluar nga ana e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me ekspertë vendas e të huaj për të parë mundësinë edhe të territoreve të tjera që mund të shërbejnë për këtë proces tepër delikat shumimi.”- shkruan ministri Klosi.

50 breshka të vogla deti Carreta -carreta janë zhytur në ujërat e detit Adriatik nga foleja e tyre e parë në bregdetin e Divjakës. Folenizimi i tyre është monitoruar nga stafi i Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta me në krye drejtorin e parkut, Ardian Koçin të cilët pas netësh të gjata pa gjumë kanë marrë jo vetëm kënaqësinë e një monitorimi të realizuar me sukses.

Ky është rasti i parë i monitorimit të folesë së breshkës Caretta -Caretta në bregdetin shqiptar./a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.