BE-ja hedh poshtë pretendimet e Salvinit për bllokim të investimeve në infrastrukturë

100

ROMË, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Ekzekutivi i Bashkimit Europian hodhi sot poshtë pretendimet e Ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, sipas të cilit vendi i tij nuk mund të shpenzojë në projekte për përmirësimin e infrastrukturës, për shkak të rregullave europiane për disiplinën buxhetore.

Për periudhën mes viteve 2014 dhe 2020, Italisë i takon të përfitojë 2.5 miliardë euro në financime të BE-së për investime në rrjetin infrastrukturor, si rrugë dhe hekurudha, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Europian.

Veç kësaj, shtoi zëdhënësi, “në muajin prill, Komisioni aprovoi një plan investimesh për autostradat italiane në kuadër të ndihmës për shtetet anëtare, që do të mundësojë kryerjen e investimeve me vlerë 8.5 miliardë euro në Itali, përfshi edhe rajonin e Gjenovës”.

“Italia është e lirë t’i përcaktojë vetë politikat prioritare për shpenzimet publike dhe, në fakt, në rekomandimet e saj për vitin 2018, BE-ja ka nxitur investime në infrastrukturën italiane”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Europian.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.