TIRANË, 14 gusht/ATSH/- Në komunën e Petrelës, 12 km në juglindje të kryeqytetit punonjësit e bashkisë së Tiranës vijojnë të kujdesen për pastrimin e saj.
“Rrezet e para të mëngjesit na gjetën në Petrelë. Ashtu si çdo ditë, kolegët janë në çdo cep të Tiranës, duke u kujdesur për pastërtinë e shtëpisë tonë të madhe”, shprehet kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Punonjësit e bashkisë i kushtojnë vëmendje pastrimit të rrugëve, rrugicave, si dhe ambienteve të kalasë.
Komuna e Petrelës është njësi administrative e Qarkut të Tiranës dhe shtrihet përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan dhe në luginën piktoreske të lumit Erzen. Territori i komunës kufizohet nga lindja me komunën e Dajtit, në jug me komunën e Bërzhitës, në perëndim me komunën e Baldushkut dhe në veri me komunën e Farkës.
Në këtë komunë, që është një nga pikat turistike të Tiranës, gjendet kalaja e Petrelës. Kjo kala vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistë vendas e të huaj. Kjo kalaja ishte një nga qendrat që u bënë ballë pushtimit osman, deri në vitet e fundit të jetës së Skënderbeut./k.s/ /a.g/