”Smile Albania” jo vetëm buzëqeshje, por një Shqipëri e pastër dhe turistike

161

Takim me të rinjtë e projektit Smile Albania në kampin e Jalit. #smilealbania😀🇦🇱

Posted by Blendi Klosi on E hënë, 13 Gusht 2018

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ – “‘Smile Albania’ nuk është një buzëqeshje vetëm për të mirëpritur, por duhet të buzëqeshim ne si individë, të ndjehemi mirë që jetojmë në një Shqipëri të pastër, turistike dhe ambientale.”

Kështu u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një takimi me të rinjtë e projektit “Smile Albania” në kampin e Jalit.

Ai gjithashtu tha se “ne së bashku me ju kemi arritur të bëjmë shumë më tepër për edukimin mjedisor. Do doja të falenderoja mbështetësit e kooperacionit gjerman GIZ, i cili ka mbështetur ngritjen e tre kampeve në Velipojë, Divjakë dhe këtu në Jal”.

Klosi tha se “këto kampe na japin mundësinë që përveçse buzëqeshjeve, mikpritjes dhe pastrimit të plazheve, të kemi mundësi të flasim më shumë për mjedisin, të shkëmbejmë më shumë ide dhe mendime për aktivizimin e rinisë në proceset mjedisore”.

“Kërkesa ime për ju është që edhe këto 20 ditë të vazhdojmë me shumë forcë për të qenë pjesë e publicitetit më të madh turistik të vendit, pjesë e mikpritjes, pjesë e përcjelljes me buzëqeshje të miliona turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, pjesë e vullnetarizmit rinor dhe pjesë e një diskutimi shumë më të madh në këto 20 ditë në rrjetet sociale për aktivitetet e të rinjve të ‘Smile’. Këtu në këtë kamp së bashku me ju janë edhe shumë të rinj kosovarë. Unë dje bisedova me disa prej tyre dhe realisht ndihen shumë mirë në Shqipëri, edhe ne duhet ta kemi shumë të qartë që deti Adriatik dhe deti Jon janë për shqiptarët e të dyja anëve të bjeshkëve dhe ata kanë gjithë mikpritjen nga të rinjtë shqiptarë dhe duhet jemi si një të tërë në këtë përpjekjen tonë për një Shqipëri vërtet turistike dhe për të pasur një shqiptarizëm sa më të fortë në arenën ndërkombëtare”, tha Klosi.

Gjithashtu, ai shtoi se “të gjithë së bashku, duhet të kuptojmë se çfarë e bën Shqipërinë më të pastër. Ndoshta mund të duket e paarritshme, por kam bindjen që ju si të rinj gjatë leksioneve që keni marrë gjatë trajnimeve tuaja do ja dilni”.

“Shpresoj që gjatë bisedave që keni bërë me ekspertët mjedisorë të ofruar nga GIZ, të keni kuptuar se pastërtinë që kemi në banesat tona ta transformojmë në pastërti të lagjeve, të qytetit, të plazhit, pra ku kemi jetë ne mund ta kemi Shqipërinë e pastër”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. /a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.