Siguria në rrugë, Policia Rrugore vijon këshillat për drejtuesit e automjeteve

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ – Policia Rrugore vijon të jap këshilla drejtuesve të automjeteve për të shmangur aksidentet në këtë sezon veror.

Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola ka bërë me dije për mediet se gjatë kësaj fundjave drejtuesit e automjeteve kanë qarkulluar në mënyrë të rregullt duke lehtësuar mjaft punën e Policisë së Shtetit.

“Policia Rrugore vazhdon të kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve, për ngadalësimin e trafikut ditën e shtunë dhe të dielë, veçanërisht në momentet e mbingarkesës së tij në akset dhe segmentet rrugore në zonat turistike të vendit.

Drejtoria e Policisë Rrugore falenderon të gjithë drejtuesit e mjeteve, për sjelljen në trafik dhe respektimin e “normave të sjelljes”, duke e bërë punën e Policisë Rrugore më të lehtë këtë fundjavë.

Shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se në përgjithësi shumica e drejtuesve të mjeteve në fundjavë kanë qarkulluar në mënyrë korrekte “në kolonë për shkak të mbingarkesës” dhe të karakteristikave të akseve rrugorë interurbane dytësore me qarkullim në dy sense të alternuar, sidomos në akset rrugore:
Orikum – Vlorë,
Levan – Fier,
Gjiri i Lalëzit – Maminas,
Velipojë – Shkodër;
Lezhë – Fushë Krujë”, – theksoi Tola.

Duke u ndalur te drejtuesit problematikë, të cilët kanë thyer kodin rrugor, Tola bën me dije se Policia Rrugore ka marrë masat e duhura duke pezulluar lejet e drejtimit për një periudhë 2-4 muaj, duke ndëshkuar 73 drejtues automjetesh.

“Ndërkohë që për ata drejtues mjeti, të cilët në shkelje të normave të sjelljes kanë kryer “parakalimin” e kolonave të mjeteve në korsinë në sens të kundërt, shërbimi i Policisë Rrugore ka marrë masat administrative në zbatim të nenit 141 “Pozicioni i mjetit në karrexhatë”, i cili përveç masës administrative me gjobë, parashikon dhe pezullim të lejedrejtimit për një periudhë kohe 2-4 muaj. Dua të informoj se mjete të uniformuara me simbolet e policisë dhe mjete jo të uniformuara të Policisë së Shtetit kanë qarkulluar “në kolonë me mjetet e tjera” në segmentet turistike me ngarkesë të madhe trafiku dhe kanë evidentuar këtë kategori drejtuesish mjeti në shkelje të hapur të normave të sjelljes, duke i transmetuar targat e mjeteve “kundravajtëse” shërbimeve të tjera të policisë, të cilat kanë bërë ndalimin dhe ndëshkimin e kundravajtësve sipas dispozitës sipërpërmendur. Vetëm për tre ditët e fundjavës shërbimi i Policisë Rrugore ka ndëshkuar për këtë shkelje rreth 73 drejtues mjeti”, – përfundoi Tola.

Policia Rrugore po tregon një angazhim maksimal në këtë sezon turistik, ku me anë të informimit, këshillimit si dhe patrullave të shpeshta, synon uljen e aksidenteve rrugore. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.