Mbretëresha e soul-it Aretha Franklin, në gjendje të rëndë shëndetësore

216

TIRANË,13 gusht /ATSH/ – Aretha Franklin raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mbretëresha e soul-it, sot 76 vjeç, rrethohet nga familja e saj në Detroit, të cilët kanë kërkuar për lutje dhe ruajtje privatësie për legjendën e muzikës, e cila është përballur me disa probleme shëndetësore gjatë viteve të fundit.

Aretha ka qenë ende aktive duke performuar më së fundi vitin e kaluar, por verën e 2017-s ajo u detyrua të anulonte një seri koncertesh, për shkak të urdhrave të doktorëve.
Performanca e saj e fundit është regjistruar më 2 nëntor të vitit 2017, për fondacionin “Aids” të Elton Johnit në Nju Jork.

Performanca e fundit përpara publikut, ndërkohë, është mbajtur në “Mann Center” të Philadelphias, në gushtin e vitit të kaluar. Në fillim të atij viti, ajo do të bënte të ditur se 2017-a do të ishte i viti i fundit i karrierës së saj.

“Do të vazhdoj të regjistroj muzikë, por ky do të jetë viti im i fundit nëpër koncerte”, njoftoi ajo gjatë një interviste radiofonike në shkurt të vitit të kaluar.

Ikona e muzikës “soul” ka vuajtur përgjatë të gjithë jetës së saj nga problemet me peshën, ndërsa është përballur edhe me alkoolizmin, por edhe me duhanpirjen.

Karriera legjendare e Arethës ka ndihmuar në shkrimin e historisë amerikane. Ajo ka performuar në funeralin e Martin Luther King Jr. në vitin 1968, ndërsa i ati i saj kishte organizuar një nga marshimet më të mëdha për barazi racore në Detroit, aty ku Luther Kingu do të jepte për herë të parë fjalimin e titulluar “Kam një ëndërr”. Por, kur iu drejtua kombit dy muaj më vonë nga Uashingtoni, në vitin 1963, turma do t’ia kalonte asaj të regjistruar në Detroit./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.