“Kukësi” goditje dyshe në merkato

93

TIRANË, 13 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- “Kukësi” ka prezantuar dy blerjet e radhës. Skuadra verilindore pas humbjes në ndeshjen e parë të eliminatoreve të Europa Ligës, ndaj “Tropedos Kuintasi”, vijon përgatitjet për ndeshjen e kthimit, ndërsa Presidenti Safet Gjici është angazhuar në merkato.

Presidenti i “Kukësit” ka dalë vetë për t’i prezantuar dy blerjet e reja. Fjala është për mbrojtësin shqiptar nga Maqedonia, Ardian Cuculi, i cili ka luajtur më parë në Superiore, me “Partizanin”, si dhe mesfushorin Oumar Toure, i huazuar nga “Juventusi”.

“Ky është një rikthim për mua në Superioren e Shqipërisë. E njoh mirë ambientin dhe kampionatin këtu. Sezonin e fundit kam fituar dy trofe me “Shkëndijën” e Tetovës, ndërsa i bashkohem “Kukësit” për ta ndihmuar në arritjen e objektive”, tha Cuculi.

“Kjo skuadër e ka treguar qartë gjatë këtyre viteve se është pretendente për titullin kampion, ndaj edhe këtë sezon këtë gjë do të synojmë. Mendoj se “Kukësi” është ndërtuar për diçka të tillë”, tha mbrojtësi.

“Është kënaqësi që vij këtu. E njoh këtë skuadër prej një muaji. Do të vendosem menjëherë në dispozicion të trajnerit. E di mirë se duhet të luftoj për të siguruar vendin e titullarit. Sidoqoftë, jam gati për të dhënë kontributin tim”, tha Oumar Toure. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.