Klubi londinez i “Tottenham” shtyn hapjen e stadiumit të ri për shkaqe sigurie

LONDËR, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Klubi londinez i futbollit, “Tottenham Hotspur” nuk do të jetë gati të zhvendoset në stadiumin e tij të ri deri rreth fundit të muajit tetor, për shkaqe sigurie.

Klubi londinez kishte shpresuar të zhvillonte ndeshjen e parë kundër Liverpulit në stadiumin e tij të ri “White Hart Lane” më 15 shtator.

Por, përmes një komunikate të publikuar sot, “Tottenham” deklaroi se do të duheshin të paktën edhe dy muaj të tjerë para se të inaguronte impiantin e ri.

“Testimet dhe inspektimet e fundit kanë nxjerrë në pah çështje që kanë të bëjnë me probleme kritike të sistemit të sigurisë”, thuhej në komunikatën për shtyp.

“Ne po rishikojmë situatën dhe kohën e planifikuar për të zgjidhur problemet aktuale, pas së cilës do të jemi në një pozitë më të mirë për të vendosur një afat të dytë”, thuhej në komunikatë.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.