Incidenti në port, Policia nis hetim për 35-vjeçarin

TIRANË, 13 gusht/ATSH-A.Fortuzi/ – Në lidhje me një incident që ka ndodhur më datë 12 gusht në sheshin e trageteve në Portin e Durrësit, Polica e Durrësit ka nisur hetim lidhur me ngjarjen dhe konkretisht për një nga rojat e tragetit të linjës Bari-Durrës-Bari.

Sipas policisë konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari-Durrës-Bari dhe pasagjerëve. Pasagjerët ishin acaruar pasi kishin disa orë që prisnin për t’u nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje.

Në lidhje me ngjarjen ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, në ngarkim të shtetasit I.M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari-Durrës-Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali. Konflikti u shua me ndërhyrjen e punonjësve të Policisë së Kufirit Durrës.

Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës për rastin në fjalë, me qëllim analizimin dhe parandalimin e rasteve të tjera i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Portual Durrës mbledhjen e Komitetit të Sigurisë me të gjithë Operatorët në marrjen e masave të nevojshme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.