Incidenti në Durrës, Drejtoria e Përgjithshme Detare kërkon shkarkimin e personelit të sigurisë

TIRANË, 13 gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Drejtoria e Përgjithshme Detare reagon në lidhje me ngjarjen e ndodhur në terminalin e pasagjerëve me tragetin GNV.

Pasagjerët e këtij trageti pas disa orë pritje, pasi nuk kanë marrë një përgjigje lidhur me arsyet e vonesës, janë përplasur me rojat e sigurisë së portit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare shkak i vonesës është bërë një defekt në kondicionerët e tragetit, ndaj kapiteneria nuk ka lejuar tragetin që të marrë pasagjerët.

“Si rezultat i fluksit të madh të hyrjeve dhe rrugëve ekspres dy herë në ditë që bëjnë tragetet, më datë 09.08.2018 trageti GNV ka pësuar defekt në kondicionerët e tragetit dhe kapiteneria nuk ka lejuar tragetin që të marrë pasagjerët. Si rezultat i kësaj vonese edhe në dy ditët në vazhdim është krijuar vonesa nga ky traget. Më datë 11.08.2018 trageti ka ardhur me vonesë nga Bari me 3 orë dhe për të mos vonuar pasagjerët është kërkuar që të bëhet imbarkimi, por me rregull. Fluksi në hyrje të tragetit ka qenë i madh dhe pasagjerët kanë tentuar të shtyjnë forcat e sigurisë të tragetit dhe të hyjnë forcërisht në traget. Pasi janë ndaluar nga siguria e tragetit, ata janë qëlluar nga pasagjerët dhe ka ndodhur një konflikt.”

Ndërsa bëhet me dije se kapiteneria e Portit Durrës, për këtë ngjarje ka kërkuar shkarkimin e personit të sigurisë për sjellje të dhunshme dhe është bërë në moment nga kapiteni tragetit. Gjithashtu agjencisë GNV i është tërhequr vëmendja për sjelljen e personelit ndaj pasagjerëve dhe po monitorohen ekuipazhi i të gjitha trageteve për sjelljet ndaj pasagjerëve dhe nuk do të tolerohet asnjë rast i tillë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.