FOTO/ Jo vetëm turizëm familjar në Pogradec

321

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Pogradeci nuk ofron vetëm mundësi për zhvillimin e turizmit familjar, por edhe vende tërheqëse me histori, traditë dhe natyrë të bukur.

Një rajon me mundësi të pafund për çlodhje dhe argëtim, Pogradeci është vendi i duhur për turistët e të gjitha moshave, si për ata që mendojnë ta vizitojnë për një ditë, ashtu edhe për ata që preferojnë të qëndrojnë më gjatë.

Lini

Lini është një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Bazilika e vjetër e krishtere e Linit

Jeta në gadishullin e Linit ka filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Gjatë kërkimeve arkeologjike është zbuluar një bazilikë e hershme kristiane me mozaikë të jashtëzakonshëm në dysheme që nga shekujt 4-5 të erës sonë.

Selca e Poshtme

Në Selcën e Poshtme mund të vizitohen pesë varret monumentale. Kalaja, e cila ndodhet në një pozicion të dukshëm të luginës së Shkumbinit, ka luajtur një rol të dorës së parë në luftrat iliro-romake dhe iliro-maqedonase. Në afërsi të kësaj kalaje kalon rruga Egnatia. Ajo që e bën të njohur këtë vend janë pesë varret monumentale, të gdhendur në shkëmbin masiv të Gradishtës. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se kemi të bëjmë me një qendër të zhvilluar ekonomiko-kulturore të një rëndësie të madhe të shekujve IV-III para Krishtit.

Ura e Golikut

Kur kthehesh në të majtë të rrugës Qafa e Thanës-Tiranë dhe ndjek rrugën e fshatit, mund të shijoni luginën piktoreske të lumit Shkumbin. Në afërsi të fshatit Golik do të gjeni një urë të lashtë që nga periudha romake, e njohur si Ura e Golikut. Kjo urë elegante me tre harqe është ndërtuar me një arkitekturë të veçantë.

Lumi Shkumbin

Lumi i Shkumbinit është një nga lumenjtë më të gjatë në Shqipëri me ujë shumë të pastër, që rrjedh përmes një pamje mahnitëse dhe derdhet në detin Adriatik. Shkumbini ka burimet e tij pranë Gurit të Nikes dhe Gurit të Topit në malet e Mokrës, rajoni i Pogradecit. Në të gjenden disa lloje peshqish, ku në rrjedhjen e sipërme shquhet trofta e famshme e lumit pranë burimeve me ujë të kulluar. Kjo bën të mundur sportin e peshkimit, ndërsa disa pjesë të lumit janë të përshtatshme për vozitje me kanoe.

Tushemishti / Driloni

Burimet e Drilonit ndodhen rrëzë kodrave afër fshatit Tushemisht dhe Gurras, 4 km nga Pogradeci dhe kanë një pamje të pakrahasueshme. Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec-Doganë-Shën Naum. Ai është një burim i madh gëlqeror që buron me rrjedhje vertikale të ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar më pas rrjedhjen në liqenin e Ohrit. Uji vjen nga liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m3 /sek. Zona është e rrethuar me bimësi të dendur.

Burimet e Kabashit

Vetëm 2 km nga Pogradeci, nëse ngjiteni përgjatë rrjedhës së lumit do të zbuloni një vend të mrekullueshëm. Burime me ujëra të kristaltë, lëndina të gjelbëruara dhe hije të freskëta do ishte vendi i duhur për piknik.

Potkozhani

Potkozhani është një fshat shumë interesant në rajonin e Pogradecit. Shtëpitë janë shumë të bukura, të bëra prej guri dhe të mbuluara me plloca. Rrugët midis tyre janë të ngushta dhe të shtruara me kalldrëm, ndërkohë që pjergullat dhe pemët e manit mbulojnë muret dhe varen mbi rrugica. Banorët mikpritës të fshatit ofrojnë strehim për turistët në shtëpitë e tyre dhe ushqim tradicional me specialitete të ndryshme vendase. Në mes të fshatit është Kisha e Shën e Premtes me varrezat e vjetra që kanë kryqe guri të gdhendura me mjaft mjeshtëri.

Kisha e Shën Bitrit

Kisha mesjetare e Shën Dhimitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan. Kjo ndërtesë e vogël prej guri, mbuluar me plloca është me vlera unikale përsa i përket dy kupolave të vogla në anën lindore dhe murit shumë të veçantë pikturuar me afreske në pjesën e brendshme të tij. Edhe pse afresket janë dëmtuar, vizitorët përseri mund të admirojne misterin dhe bukurinë e shenjtorëve pikturuar në muret e tij.

Rruga Egnatia

Në territorin e Pogradecit ndodhen disa degëzime të Rrugës Egnatia, rruga e famshme që në antikitet lidhte Romën me Kostandinopojën. Ka disa ura dhe fragmente të kësaj rruge të lashtë që fillojnë nga ura e Golikut, ura e Terziut në Proptisht, ura në luginën e Llëngës dhe ura e Nicës. Rruga dallohet prej gurëve të mëdhenj që i gjejmë në grykën e Llëngës, pranë luginës së lumit Shkumbin. Dikur në këtë rrugë ka kaluar Cezari dhe Apostulli Paul në udhëtimin e tij nëpër Iliri.

Kisha e Shën Marenës

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës ndodhen në veri të fshatit Llenge, zonë e Pogradecit, me një pamje dominuese në majë të malit mbi lumin Shkumbin. Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qendrore e kishës me një ikonostas druri 6 m të gjerë dhe 4 m të lartë. Ikonostasi është gdhendur me motive luleje. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpataraku.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.