BRUKSEL – Frontex: Bie fluksi i migrantëve me destinacion Europën

BRUKSEL, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Numri i kalimeve të parregullta të kufirit nga katër rrugët kryesore për në Bashkimin Europian ka rënë me 43% në shtatë muajt e parë të këtij viti, sipas një njoftimi të bërë sot nga agjencia e kufijve të BE-së, “Frontex”.

“Numri i përgjithshëm i personave që u evidentuan ndërkohë që kalonin kufirin gjatë këtyre shtatë muajve ishte 73 500”, sipas “Frontex”.

Në korrik, numri i kalimeve ishte 18% më i ulët se sa një vit më parë, rreth 14 900.

Rruga e Mesdheut Perëndimor regjistroi më shumë se gjysmën e këtyre kalimeve në korrik, ku numri i migrantëve që shkon në drejtim të Spanjës është katërfishuar në raport me një vit më parë, në rreth 8 800 persona.

Në total, kjo rrugë rregjistroi rreth 23 100 kalime, më shumë se dyfishin e një viti më parë.

Kjo rritje vjen edhe për shkak të një rënie të migrantëve që përdorin rrugën e Mesdheut Qendror, ku numri i tyre ra me 83% në krahasim me vitin 2017.

Në total, gjatë shtatë muajve, numri i migrantëve që kalojnë këtë rrugë ra me 81% në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë, fluksi i migrantëve nëpërmjet Mesdheut Lindor u rrit me 75% gjatë shtatë muajve, duke arritur 29 500 persona, ndërsa fluksi nga Ballkani vazhdon të jetë modest. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.