Bashkia e Tiranës dhe studentët e Harvardit strategji për një qytet miqësor me fëmijët

152

TIRANË,13 gusht/ATSH- I. Vata/ – Nën moton “Tirana: Qytet për fëmijë, qytet për të gjithë”, Bashkia e Tiranës dhe grupi i studentëve nga Universiteti i Harvardit, prezantuan draftin e parë të strategjisë që synon përfshirjen e nevojave të fëmijëve 0-5 vjeç në të gjitha vendimmarrjet e institucioneve bashkiake të planifikimit dhe implementimit urban.

Duke falenderuar studentët nga Harvardi për punën e kryer, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti merr mbrapsht një produkt të prekshëm, që do ta rrisë edhe më shumë reputacionin e Tiranës si një vend miqësor me fëmijët.

“Një mirënjohje e veçantë për skuadrën nga Harvardi, të cilët së bashku me kolegët nga Tirana kanë pasur një sinergji fantastike në 6 javët e fundit dhe mezi pres që ta rrisim reputacionin tonë si një qytet miqësor me fëmijët”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se sot kryeqyteti ka një plan strategjik për një qytet miqësor për fëmijët. “Po prodhojmë një ‘mini-kushtetutë’ të qytetit, për mënyrën sesi do të trajtojmë çështjen e fëmijëve dhe të miturve në qytetin tonë. Ndaj, besoj se është një evoluim edhe në mentalitet dhe jo vetëm evoluim në terren”, tha ai.

Duke folur për debatin për teatrin, Veliaj tha se  “jam i bindur se edhe në debatin që kemi sot për teatrin, në fund të ditës nuk do prevalojnë bindjet politike të secilit, si të pengojmë këtë apo deja vu-ja e Rozafës me këndin e lojërave. Në fund të ditës do prevalojë çfarë qyteti do lëmë për fëmijët: do lëmë inatet tona si monumente të qytetit apo do lëmë një infrastrukturë moderne, që fëmijët e gjeneratës tjetër të shkojnë në një teatër ku nuk do ngrijnë së ftohti, ku nuk do plasin vape, ku higjiena do respektohet në të gjithë infrastrukturën e vet, ku të ndihen krenarë në shfaqjen e tyre të parë si adoleshentë, në një vend ku do të ndihen si njerëz dinjitozë dhe një familje e ardhshme e qytetit tonë”.

Ai solli në vëmendje shembujt e mëparshëm të disa prej projekteve të nisura në kryeqytet, të cilat hasën rezistencë, por sot janë ndër më të vlerësuarat.

“Mbaj mend se si shumë punë ku jemi angazhuar kanë qenë punë të kontestueshme dhe pjesë e debateve të mëdha. Sot të gjithë krenohemi dhe themi: sa mirë sheshi ‘Skënderbej”, mori çmim, por të gjithë e mbajnë mend se në çfarë debatesh dhe në çfarë hullie shkoi një dekadë diskutimesh për sheshin “Skënderbej”, që përfundoi në 10 muaj investim. Koha që na u desh për të bërë Pazarin e Ri ishte 7 muaj. Koha që na u desh të bënim këndin e lodrave, të parin fare që hapi këtë debat dhe në fakt na solli në këtë diskutim sot ishte vetëm 100 ditë me 78 protesta”, nënvizoi Veliaj.

Duke pasur në qendër të politikave të saj fëmijët dhe të rinjtë, Veliaj tha se “Bashkia e Tiranës do të transformojë edhe Piramidën në qendrën më të madhe multifunksionale, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës.Ndërkohë, në këto ditë të nxehta vere, fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë argëtohen në Kampet Verore të ngritura nga Bashkia e Tiranës”.

“Partneriteti GSD-Tiranë është një bashkëpunim mes studentëve të planifikimit urban pranë Universitetit të Harvardit (GSD-Graduate School of Design) dhe Bashkisë së Tiranës, me mbështetjen e Fondacionit Bernand van Leer”, tha Veliaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.