United e nis me fitore Premier Ligën, Pogba kapiten i djajve të kuq

99

TIRANË, 11 gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Manchester United e ka nisur me fitore sezonin e ri të Premier Ligës, duke mundur 2-1 Leiçesterin.

Jose Mourinho mbrëmjen e djeshme vendosi t’i japë shiritin e kapitenit, kampionit të sapo shpallur të botës, Paul Pogba, për sfidën hapëse të Premier Leagues, ndaj Leicesterit, të cilën “djajtë e kuq” e fituan me rezultatin 2-1.

Pogba zhvilloi një ndeshje si protagonist, duke shënuar golin e avantazhit që në minutën e tretë dhe duke vrapuar pa fund në çdo cep të fushës, ndonëse kishte vetëm pak ditë që kishte rifilluar stërvitjen. Goli që vulosi fitoren erdhi shumë vonë, në minutën e 83-të dhe u shënua nga një tjetër lojtar i rilindur, mbrojtësi anësor Luce Shaw, që zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse para syve të Mourinhos.

Jamie Vardy shënoi në minutën e dytë shtesë për Leicesterin, pas një topi pa pretendime në zonë, por koha nuk ishte në favor të “dhelprave”, të cilat nuk arritën të shmangin humbjen në “Old Trafford”.

Në fund Manchester United mori 3 pikët shumë të vlefshme në javën e parë të kampionatit, kur shumë prej lojtarëve nuk kanë ardhur në formën më të mirë./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.