Çuçi: Vetëm në një muaj, ulet me 4 herë përdorimi i qeseve plastike

TIRANË, 11 gusht/ATSH-Maela Marini/ Nisma e qeverisë për reduktimin e qeseve plastike ka filluar të japë efektet e para.

Në disa prej rrjeteve të supermarketeve në vend llogaritet se vetëm përgjatë një muaji është ulur me 4 herë përdorimi i qeseve plastike.

Kjo u bë e ditur për ATSH-në nga zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi.  Në një prononcim lidhur me ecurinë e zbatimit të VKM-së numër 232 të vitit 2018 për qeset plastike, Çuçi solli në vëmendje statistikat më të fundit të raportuara në disa prej rrjeteve të supermarketeve.

Sipas saj, “llogaritet se përgjatë një muaji është ulur me 4 herë përdorimi i qeseve plastike”.

Çuçi u shpreh se “nuk është synimi ynë të penalizojmë dhe të gjobisim bizneset, por të kemi një mjedis të pastër në Shqipëri dhe të kemi reduktim maksimal të qeseve plastike”.

Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë një fushatë promovuese, duke shkuar afër konsumatorëve dhe duke shpjeguar ndikimin në mjedis të kësaj nisme.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.