Turistët e huaj “pushtojnë” Durrësin

109

TIRANË,10 gusht/ATSH- I. Vata/ – Fluks i madh hyrjesh me turistë në qytetin bregdetar të Durrësi kryesisht të huaj, institucionet ligjzbatuese në gatishmëri për të garantuar qetësinë, sigurinë e pushuesve, deklaroi sot për ATSH, Prefekti i Durrësit, Roland Nasto.

Vetëm një ditë më parë, u përpunuan 5 tragete hyrje -dalje. Në hyrje, janë regjistruar 3543 shtetas shqiptar dhe 2262 shtetas te huaj.

Ndërsa mjetet shqiptare 1026 dhe të huaja 676. Gjithashtu kanë hyrë 2 jahte me flamur të huaj dhe kanë dalë po dy. Mjete shqiptare në dalje 198 dhe të huaja 606.

Po ashtu, janë ankoruar 6 Jahte të mërkurën dhe të enjten dy jahte me turistë të huaj. Janë përpunuar dy jahte me flamur të huaj në hyrje dhe dy në dalje.

Prefekti i Durrësit deklaron se porti i Durrësit shënon një fluks daljesh, por numri më i madh i vizitorëve është ai i hyrjeve dhe ky trend pritet të vazhdojë deri me datën 23-24 gusht.

“Janë marrë të gjitha masat për të garantuar pushime të qeta e të sigurta për turitët vendas dhe të huaj. Që nga kullat e vrojtimit dhe vrojtuesit. Të gjitha institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit, Policia Kufitare, firma që ka në zotërim portin, Policia Bashkiake, Zjarrfikësit, shëndetësia, organet e Tatim Taksave të gjithë në terren në shërbim të qytetarëve”, shprehet Nasto.

Po ashtu, Naso shton se fluks të lartë turistësh ka dhe në qytet dhe janë marrë të gjitha masat për qarkullimin e lirshëm të qytetarëve, parkimi dhe lëvizjen me automjete.

“Durrësi afron shumë për turizmin, qoftë nga vlerat e trashëgimisë kulturore, vlerat tradicionale të gatimit, vlerat natyrore, peizazhi, plazhi dhe masat që kanë marrë institucione në shërbim të qytetarëve, e ka bërë Durrësin të ngjitet në krye të pritjeve të vizitorëve si asnjë herë, thjesht Durrësi është i “pushtuar” nga turistët”, shprehet Nasto. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.