SONDAZHI -Interes i jashtëzakonshëm nga turistët suedezë për Shqipërinë

143

STOKHOLM, 10 gusht /ATSH/ – Operatori i parë turistik në Skandinavi, “Apollo” ka filluar të zhvillojë fluturime direkte që në maj drejt Shqipërisë së paeksploruar. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, madje shtatë në dhjetë suedezë shprehen se po planifikojnë të bëjnë një udhëtim të tillë. Shqipëria ndodhet gjithashtu edhe në destinacionet më interesante për vitin 2018 të revistës që i dedikohet udhëtimeve “Vagabond”.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Apollo” bashkë me kompaninë e sondazheve “Sifo”, arsyet kryesore përse suedezët duan të udhëtojnë në Shqipëri janë: (1) se është një alternativë e lirë; (2) për natyrën e bukur me male të larta dhe plazhe të pastra; (3) kombinimi mes një historie emocionuese, diellit dhe plazhit.

“Ka shumë interes për Shqipërinë si një vend shumë argëtues dhe nuk është për t’u habitur. Shqipëria me të vërtetë është një destinacion emocionues dhe udhëtimet tona të mëparshme në jug të Shqipërisë kanë qenë një sukses i vërtetë! Madje, këtë vit hapëm një linjë fluturimi direkte dhe një destinacion të ri. Resorti në Durrës, do e bëjë Shqipërinë një destinacion me peshë në të ardhmen”, thotë Peter Browall, drejtori suedez i “Apollo”.

Të rinjtë dhe familjet me fëmijë janë më të interesuarit

Sipas këtij sondazhi, janë kryesisht grupet e të rinjve, me moshë nga 18 në 44 vjeç dhe familjet me fëmijë që janë më të interesuara në këtë destinacion të ri dhe të paprekur.

Në këto grupe, 8 nga 10 thonë se po planifikojnë të shkojnë për pushime në Shqipëri.

Për më tepër, 10% e atyer që për përdorin udhëtimet me çarter shprehen se janë ndër të partë që interesohen të njohin Shqipërinë. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.