Policia e Shtetit këshillon drejtuesit e mjeteve për telefonat dhe shpejtësinë

76

TIRANË, 10 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Drejtor i Policisë Rrugore pranë Policisë së Shtetit, Mithat Tola , përmes një deklarate për mediat ka kërkuar nga përdoruesit e rrugës që të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Nisur nga aksidenti i rëndë, i ndodhur në afërsi të “Urës së Kamzës” në datë 08.08.2018, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy persona të tjerë, pas një analize paraprake të shkaqeve të aksidenteve të ditëve të fundit Policia Rrugore evidenton se, tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara është një nga shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe premisë për tu përfshirë në aksidente rrugore; Përdorimi i aparateve celularë gjatë drejtimit të mjeteve, është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj humbjen e kontrollit të tij; Qarkullimi i biçikletave duhet të bëhet në kujdesin më të madh. I kujtojmë drejtuesve të mjeteve, se drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve nuk janë të mbrojtur nga “karkasa” metalike, sikundër mjetet, mjafton një pakujdesi e dyanëshe dhe pasojat mund të jenë të rënda”, tha Tola në daljen e tij për media.

Po ashtu sipas tij, “kapërcimi i kryqëzimeve prej drejtuesve të biçikletave duhet të bëhet në kujdesin maksimal, dhe në çdo rast edhe drejtuesit e biçikletave duhet të fillojnë të përdorin kaskat mbrojtëse të veçanta; Këmbësoret brenda qendrave të banuara, duhet të kryejnë kapërcimin e kryqëzimeve me kujdesin maksimal atje ku janë vijat e kalimit të këmbësorëve, dhe jo të kryejnë kapërcime diagonal të kryqëzimeve, duke venë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve; Jashtë qendrave të banuara këmbësoret duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve dhe të kryejnë kapërcimin e karrexhatës vetëm kur të jenë të sigurt që kapërcimi i rrugës mund të bëhet pa rrezikuar jetën e tyre”, theksoi Tola..

“Policia Rrugore, tha Tola, detyrohet të kujtojë, se gjatë drejtimit të mjeteve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, janë të ndaluara përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, shkrepja e fotografive për ti shkëmbyer në instagram dhe në fb. Nisur nga analiza e aksidenteve të muajit Korrik dhe muajit Gusht në vijim, ka një numër “të evidentuar” drejtuese mjeti femra që janë përfshirë në aksidente rrugore më pasojë, ndërkohë që dua të theksoj edhe të dhënën tjetër, që vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale”, tha Drejtori i Policisë Rrugore.

“Policia Rrugore po vazhdon me gatishmëri maksimale monitorimin e trafikut. Aksioni i saj këtë javë ka qenë kontrolli ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota për mospërdorim të kaskove mbrojtëse; Kontrollet e Policisë Rrugore gjithashtu kanë vazhduar për drejtuesit e  mjeteve që përdorim celularët gjatë drejtimit të mjeteve”, tha Tola.

“Nga ana tjetër vazhdoj të ftoj çdo qytetar dhe drejtues mjeti të denoncojnë në numrin falas 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Digital” duke dërguar imazhe dhe foto mbi shkeljet që ndeshin në akset rrugore, si parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave etj, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional nga ana e Policisë së Shtetit”, tha Mithat Tola, Drejtor i Policisë Rrugore, pranë Policisë së Shtetit./e.caushi/ 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.